Editorial nga "Arena": A e humbëm prapë trenin e Evropës?

Editorial nga "Arena": A e humbëm prapë trenin e

Demonstrata e së shtunës ishte kulmimi i fushatës së demokratëve kundër ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

Katër javë më vonë do të merret vendimi nëse vendi ynë do të hapë bisedimet me Bashkimin Evropian për anëtarësim.

Qeveria akuzon opozitën se e gjitha kjo bëhet për të penguar vendin në këtë hap të rëndësishëm. Fatmir Xhafaj ka vite me këtë cen dhe përgjimi që ndezi fushatën ka muaj në sirtarët e demokratëve. Ky është edhe fakti që vërteton qëllimet destruktive të demokratëve, është pretendimi i socialistëve.

Ndërkohë krahu tjetër e quan të gjithën si pjesë të fushatës mbi një vjeçare të luftës që i kanë shpallur drogës. Madje deputeti Dashamir Shehi i ka ofruar edhe një paqe katër javore qeverisë si ndihmë për hapin drejt evropës.

Por a ndikon realisht e gjithë lufta e brendshme në hapjen e bisedimeve? Këtë askush nuk mund ta thotë. Qoftë Bashkimi Evropian, ashtu edhe anëtarët e tij, kanë agjensi informuese që i japin politikanëve vendimmarrës të Brukselit një pasqyrë të gjendjes së Shqipërisë. Por kur lufta politike zë faqet e para të shtypit perëndimor me problematikën e vendit, pesha e opinionit publik evropian bëhet përcaktues. Aq më tepër që Evropa vetë është nën një valë populizmi dhe ksenofobie duke filluar nga motori i saj, Gjermania.

Pas shumë mundimesh Anxhela Merkel iu kthye për të katërtën herë bukës së vjetër, aleancës me socialdemokratët. Këta të fundit janë dëmtuar shumë nga 3 mandate bashkëqeverisje në skalion të dytë. Për më tepër vendimi i Merkel për të pranuar një milion refugjatë shkaktoi valë kundërshtish në vend. Edhe të majtët gjermanë në kundërshtim me ideologjinë e tyre të hapjes, janë nën presion për qëndrimet që do të mbajnë në të ardhmen.

Dalja e Britanisë nga Bashkimi, përveç disekuilibrave politikë ka shkaktuar edhe ç’balancime strukturore. Franca nuk di të gjejë polin e veriut, pavarësisht zgjedhjes së një presidenti i cili më shumë se frymë ishte proces marketingu. Ndjehet mungesa e liderëve të tipit Miteran apo qoftë edhe Shirak. Më shumë sesa për Evropën e bashkuar francezët kanë probleme me pozicionin e tyre në këtë Evropë dhe sa i ndihmon ajo me problemet ekonomike apo të terrorizmi që ka brenda. Pa harruar një popullsi që po plaket vazhdimisht.

Ndërkohë Italia ka humbur shkëlqimin. Ndodhet në mes të krizë qeverisëse dhe nuk po mundet të gjejë një person të besueshëm që do ta drejtoje. E ndërkohë i duhet të japë garanci se nuk do të jetë një Greqi e dytë për çështjet e borxheve. Sepse po ra Italia, nuk ka patericë gjermane që ta mbajë në këmbë Bashkimin Evropian. Dhe ky eshte një lajm i keq për shqiptarët që tek apeninasit kanë një mbështetës të tyre historik

Në krahun perëndimor iberikët më shumë sesa me unitetin e Evropës kanë probleme me unitetin e tyre. Shpallja e pavarësisë së Katalonjës, megjithëse deri tani butaforike, nëse nuk menaxhohet me kujdes, mund të sjellë shkërmoqjen e një shteti që e ka mbajtur të bashkuar vetëm kurora.

Nuk mungojnë tek skeptikët shtete e vogla. Hollanda ndodhet nën presionin e politikave populiste, dhe ngjan shumë tolerante më  shtete si këto të ballkanit perëndimor që më shumë se lesh bien pleshta. Por jo vetëm ajo. As Belgjika, Danimarka apo vende të tjera të pasura që do të mbajnë koston e anëtarësimit të fukarenjve të Ballkanit, nuk kanë entuziazëm. Andrallat që sjell Orban i Hungarisë, apo çekët e sllovakët me politikat e tyre nacionaliste apo centrifugale, nuk i bëjnë shumë entuzistë që të fusin në mes të tyre edhe disa të tjerë që kanë pak ose aspak kulturë bashkëjetese dhe tolerance, aq të nevojshme për mbajtjen e një karabinaje si ajo e Brukselit.

Ndërkohë turi i kryeministrit shqiptar por edhe i  titullarëve të tjerë të shtetit në kryeqytetet e rëndësishme ose jo të Evropës, ndjell rrezikun që ka vendi nëse nuk i jepet dora drejt anëtarësimit. Nëse diplomacia është arti i negocimit të interesave atëhere ne kemi shumë pak për të ofruar që të rregullojmë punë. Por shumë që të prishim. Synimet e fuqive rajonale mbi një vend të vogël e të pa stabilizuar si yni, do ti sillnin evropianëve sherrin tek pragu i derës. Dhe kjo do të ndryshonte nga vala e vitit ’97. Pasi nëse tashmë nuk kemi më emigrantë sepse vendi është pothuajse i zbrazur nga fuqia aktive për punë, mund të bëhet trampolinë e kundërshtarëve të këtij bashkimi që është njëkohësisht edhe përfaqësues i qytetërimit perëndimor.

Cili do të jetë fati ynë në këtë fund qershori? Ca thonë i mirë e të tjerët i keq. Mbetet për tu parë. E vetmja gjë e sigurtë është që nëse për evropën është një akt burokratik, për ne është çështje se nga do ja mbajë qytetërimi shqiptar në 100 vitet që vijnë, në lindje apo perëndim.


EMISIONET