Edhe burgjet në gjendje gatishmërie nga tërmeti

Edhe burgjet në gjendje gatishmërie nga tërmeti

Në përgjigje të situatës së krijuar nga lëkundjet e tërmeteve të njëpasnjëshme gjatë orëve të pasdites,  Ministria e Drejtësisë mblodhi menjëherë Grupin e Menaxhimit të Emergjencave Civile dhe Krizave.

Grupi i Menaxhimit në bashkëpunim me strukturat e tjera drejtuese kreu një verifikim paraprak të situatës në të gjitha institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, dhe veçanërisht pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

"Vlen të theksojmë se në Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, situata paraqitet e qetë dhe pa probleme si në drejtim të sigurisë njerëzore, ashtu dhe shëndetit të punonjësve të strukturave të burgjeve dhe të shëndetit të të paraburgosurve dhe të dënuarve".

Ministria sqaron se në momentet e lëkundjeve të tërmetit, në kuadër të menaxhimit të situatës, janë ndjekur me përpikmëri kërkesat e Planit të Emergjencës në Burgje, duke nxjerrë të dënuarit për çështje sigurie fizike në ambientet e ajrimit.

Në përgjigje të situatës, në bazë të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve dhe legjislacionit në fuqi, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar kalimin në gjendje gadishmërie, në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në afërsi të epiqendrës së tërmeteve, ku janë ndjerë lëkundjet dhe po zbatohet plani i masave përkatëse në çdo IEVP.

Për të gjitha institucionet e varësisë, po vijon inspektimi i detajuar për evidentimin dëmeve të mundshme materiale.

Situata është në monitorim dhe në ndjekje të vazhdueshme, përfundon deklarata e Ministrisë.




EMISIONET