E rëndë në Ballsh, burri i dehur vret gruan dhe kunatën në sy të fëmijëve

E rëndë në Ballsh, burri i dehur vret gruan dhe kunatën

Një drekë familjare përfundoi në një tragjedi pasditen e 2 janarit, 2019, në Ballsh, ku burri 34 vjeçar në gjendje të dehur vrau me thikë bashkëshorten dhe kunatën.

Autori është Gazment Musta, ndërsa viktimat bashkëshortja e tij 31 vjeçare Gentjana Çaushaj dhe motra e kësaj të fundit Merisa vetëm 18 vjeçe.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G.M, 34 vjeç. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se në gjendje të dehur, rreth orës 17.30 në banesën e tij në Ballsh, për motive të dobëta, ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij, shtetasen G.C, 31 vjeçe si edhe motrën e bashkëshortes, shtetasen M.C, 18 vjeçe, të cilat kanë ndërruar jetë në vend" njoftoi policia.

Krimi i dyfishtë ndodhi në familjen Musta që jeton në katin e pestë të një pallati në lagjen "5 Shkurti"

34-vjeçari, Gazment Musta, punonte në Greqi dhe ishte kthyer për festat e fundivitit.

Sherri mes bashkëshortëve që përfundoi në vrasje

Këtë të mërkurë në familjen e tyre kishte ardhur motra 18 vjeçare e bashkëshortes për festat e fundvitit.

Sipas burimeve debati ka nisur kur bashkëshortja i ka kërkuar 34-vjeçarit që të shkonte pranë familjes së saj bashkë me të motrën.

Kjo kërkesë sipas të dhënave të para ka ndezur debatin, ndërsa 34-vjeçari nën ndikimin e alkoolit, ka qëlluar me thikë fillimisht kunatën, e cila kishte ndërhyrë për ti qetësuar, e më pas bashkëshorten e tij.

Krimi i rëndë ndodhi në sy të dy fëmijëve të mitur 3 dhe 7 vjeç të familjes Musta.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku arrestoi autorin e vrasjes së parë për vitin 2019.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

(Në foto: Gazment Musta dhe gruaja e tij Gentjana Çaushaj)






EMISIONET