Mbledhja e katërt në Shqipëri, që u bë orët e fundit mes qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, zgjidhi disi “enigmën” e dështimit të takimit, që ishte planifikuar të bëhej në Prill. Atëkohë, të dy qeveritë u munduan të fshihnin dështimin, por orët më pas qartësuan gjithçka: të dy qeveritë nuk kishin se çfarë të kumtonin si arritje, ndaj e ndaluan show qeveritar. Pak javë më pas, Kosova u fut në një proces zgjedhor të stërgjatë, në fillim të përgjithshëm e pastaj lokal deri orët e fundit, që e hoqi krejt vëmendjen nga përditmëria e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Ato u ringjallën edhe njëherë para fundit të vitit, për të shtensionuar situatën e lodhshme në Kosovë, por edhe për t’i dhënë frymë qeverisë Rama, që sot është nën një sulm shumë të madh nga të gjitha anët për kriminalizimin e gjerë të vendit.

Që në mbledhjen e parë të përbashkët në Prizren është nënshkruar partneriteti strategjik Shqipëri-Kosovë, pasuar me atë të marsit të vitit 2015 në Tiranë dhe të qershorit të vitit 2016 në Prishtinë. Në një vlerësim të përgjithshëm, ku primare s’janë strategjitë, kalendarët dhe aktivitetet duhet thënë se impakti i Shqipërisë në Rajon, mëton të jetë i madh, por ai është tejet larg realitetit që po jetojmë. Duket se prekjen më të madhe deri më tani e ka pasur deri diku media. Por, që nga viti 2016 zyrat rajonale të TCh që ishin në Prishtinë e Shkup u mbyllën dhe lajmet që ishin të përditshme tashmë se kanë më atë frekuencë. Funksionon Klan Kosova, por jo shumë aktiv sa i përket përditmërisë së rajonit.

Nëse do të futesh në elementë teknikë do të gjesh shumë syresh, që e tregojnë vërtetë sesa jashtë janë premtimet e politikanëve ndaj impaktit të Shqipërisë në Kosovë e më tej në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Porti i Shëngjinit, që do të ishte sipas premtimit Porti i Kosovës, nuk arriti të bëhej asnjëherë i saj. “Rruga e Kombit”, që përfundonte në Durrës dhe u bekua me këtë togfjalësh patetik, sot e kësaj dite është funksionale deri në Milot. Barrierat tregtare që i krijojnë njëra-tjetrës të dy vendet, megjithë dokumentet e rregullta, mbeten dhe përsëriten kohë e pa kohë. Menaxhimi i portalit albanologjik, që i takonte Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, e që realisht përfaqësues të kësaj të fundit nuk e dinin fare para pak kohësh, se kur kish ndaluar së funksionuari portali albanologjik, nuk bëhet sot e kësaj dite…

Me pak fjalë, jashtë retorikave, por në vazhdë të dokumenteve që firmosen dhe ne i vlerësojmë, ka ardhur koha, që institucionet të krijojnë mekanizmat e duhura t’u japin jetë marrëveshjeve bashkë me instrumentet e duhura të monitorimit. Me çfarë kuptohet nuk ka buxhete të përcaktuara, sa i përket bashkëpunimeve në kulturë, art, media dhe sport dhe kjo vazhdon edhe me sektorët e tjera, ndaj kjo i bën marrëveshjet që të jenë shumë burokratike dhe korteziale. Sikur të arrihej të gjendej bashkëpunimi real në të gjitha fushat do të krijohej edhe sheshimi i parë i problematikave të shqiptarëve në rajon, që do të kishte impakt pozitiv jo vetëm në marrëdhëniet e përgjithshme Shqipëri-Kosovë, por edhe me Maqedoninë e Malin e Zi dhe më larg në Luginën e Preshevës.

Në terren ky imazh i mrekullueshëm kuqezi, për të cilin qeveritë respektive, e kanë bërë shumë më mirë se paraardhëset, nuk ka të paktën deri më tani ndonjë efekt konkret, qoftë në vendet respektive, por edhe në lehtësimin e përbashkët të jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Kjo të bën të besosh se takimet dhe nënshkrimi i dokumenteve nuk e tregon ende nivelin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, Maqedoninë e më gjerë. Vërtetë ka shumë syresh, por impakti mbetet shumë i pakët dhe mbi të gjitha ka një mal me detyra të lëna përgjysmë mes dikasteresh. Ky perceptim sot është gjerësisht i shpërndarë në trojet shqiptare të rajonit dhe kjo është provuar në të gjitha Vox pop që ka bërë media, shtuar edhe me prononcimet e shumta të shumë personazheve të hapësirave ku jetojnë shqiptarët.

Po cili e krijon vallë diferencën e perceptimeve në ditët tona? “Mosnjohja e njani-tjetrit. Ende, ma shume se nji çerek shekulli prejse u shemb komunizmi n’Shqipni, relacionet  Tiranë-Prishtinë janë të mbushuna me stereotipe, keqkuptime, keqinterpretime, dhe interesa te kundërta”, shprehet publicisti kosovar Migjen Kelmendi. Të jetë e vërtetë?! Të paktën, realiteti që jetojmë, shkon shumë afër me këtë prononcim. (Javanews)

/Ora News.tv/