Mbi romanin e Nasi Lerës “Të gjithë premtojnë Parisin” Pas leximit të romanit “Të gjithë premtojnë Parisin”, njëri nga më të shënuarit të viteve të fundit në letërsinë tonë, iu ktheva dy shkrimeve për prozën e autorit Nasi Lera që i kisha bërë në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar: një për romanin “Të jetosh kohën” dhe një për vëllimin me tregime “Dita e tretë”, përkatësisht për njërin nga tregimet e këtij vëllimi, me titullin “Vëllezërit”. Ngasja për një kthim të tillë m’u duk sikur vinte nga kërshëria për të kërkuar vazhdimësinë e kësaj natyre të lindur krijuese, për mua të angazhuar, në kuptimin më të mirë të fjalës, për çfarë do të them diç edhe në fund të këtij shkrimi. Te romani “Të jetosh kohën”, personazhi adoleshent me emrin Gjergji, i cili, rastësisht gjendet përballë një pikture të El Grekos me titull “Laokonti”, i habitur dhe i trishtuar mbase, shtron pyetjen: “Cili është ky që bashkë me fëmijët vuan nën shtrëngimin dhe helmin e gjarprit?”. Kur i thonë që është një histori e vjetër, ai shtron pyetjen që është pyetje e pyetjeve: “A do ndërmarrë dikush gjë për t’i shpëtuar ata?…”. Dhe përsëri një detaj tjetër, gjithnjë me Gjergjin, ndërkaq student në Tiranë. Nga një debat me kolegë, mbi servilizmin, në një dialog sa të habitshëm, aq edhe të guximshëm për kohën, do të përplasen qëndrime mes tyre dhe lexuesi sikur asnjërin nuk e flak dot pa dilemë. Dhe unë përsëri kam nënvizuar ndërhyrjen e Gjergjit: “Po sikur im Atë t’i jetë servilosur eprorit që unë të gjendem këtu, a mund të merret si mëkat?”. Pra, një debat i çuditshëm mbi krizën e vlerave, moralit, mbi katandisjen e tyre, që në fillim të viteve tetëdhjetë e mundon shkrimtarin, gati gjysmë shekulli përpara. Tregimi “Vëllezërit” është çudia tjetër: Omeri dhe Muja gjenden në taborë kundërshtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, njëri partizan tjetri ballist. Të plagosur rëndë, për vdekje, njëri përballë tjetrit, në ambulanten e improvizuar partizane, do të sillen ashtu siç u ka hije kreshnikëve të eposit. Anash përshkrimit të fuqishëm, monumental, të njërit dhe tjetrit: pendesa, mbase krenaria, te secili vjen si lëkundje, si tërmet që lëviz malin, duke shikuar sy më sy njëri-tjetrin, por as të nxirë, as të zbukuruar, as të skematizuar sipas skemës bardhë e zi. Dhe e veçanta është që të mrekullon guximi: Nasi Lera, si në rastin e Gjergjit te romani “Të jetosh kohën”, si te “Vëllezërit”, përmes thirrjes në ndihmë të mitologjisë, me elegancë krijuesi, arrin të shmangë doktrinën soc-realiste në paraqitjen e personazheve. Dhe më kujtohet me këtë rast, një thënie e Nerudës, kur flet për shoqërimin e autorit me personazhe të caktuara, saktëson: “ … për t’ua zbuluar tjerëve se çfarë jemi”. Le të shohim tani botën e rrëfyer në romanin më të ri të Nasi Lerës “Të gjithë premtojnë Parisin”, që në krye të vëmendjes narrative vendoset brutaliteti i forcës politike dhe mafies shqiptare, që aktualisht është dukuri e përditshme. Të gjithë jemi dëshmitarë të përbuzjes dhe arrogancës nga ata me pushtet material dhe pushtetar. Pikërisht këtë realitet absolut ka përballë shkrimtari Nasi Lera në romanin “Të gjithë premtojnë Parisin”. Si alter ego i personazhit kryesor të romanit, shkrimtarit Simon, autori me këtë rast nuk është as indiferent, por as gjykatës i pavarur i këtij realiteti, dhe ky realitet, siç e thamë, nxjerr në sipërfaqe brutalitetin e forcës, të asaj që mund të bëjë çdo gjë, ndërsa individi me të drejtën e vet s’mund të bëjë asgjë. Po të sillnim në skenë, brenda këtij realiteti të sotëm, personazhin adoleshent, Gjergjin e sipërpërmendur, me siguri do të pyeste: “A po ndërmerr dikush masa për të shpëtuar personazhin kryesor të romanit nga kthetrat e bosëve?”. Atëherë, mbase, edhe autorit, si të gjithë bashkëkohësit e vet, i bie të jetë bashkëpjesëmarrës në tërë shtrirjen e së keqes. Afërsisht, sipas kësaj bindjeje dhe përcaktimi, do të vendoset atributi angazhim, që mund të tingëllojë vrazhdë edhe për shkak të inercionit nga shpërdorimi, deri në përçudnim të tij. Mbase edhe për këtë, i emërtuar si mision, misionarizëm në krijimtarinë artistike, mund të jetë më i pranishëm për veshin…Në këtë sfond të një krijimtarie letrare të guximshme për epokën e diktaturës, le ta përflasim shkurtimisht subjektin e romanit. Titulli “Të gjithë premtojnë Parisin” mund të lexohet edhe si eufemizëm për kuptimin “të gjithë gënjejnë”. Parisi, me këtë rast, është parajsa e ëndërruar dhe të gjithë kanë dhe kemi Parisin tonë sot, njësoj si atë balzakian, që përthithte ëndërrimtarë, shumicën për t’i gllabëruar mizorisht. Kështu, edhe ëndërrimtarja nga provinca shqiptare, Eva, e bukur, e pafajshme, e magjepsur edhe nga joshjet mediatike, përmes gala-show-ve, si sfilata bukuroshesh, zona të hapura dhe të mbyllura, akuariume për eksperimente seksuale dhe rezervuar për sigurimin e mishit të bardhë për bosat e mafies, pra, edhe ajo me iluzionin e vet rinor ia mësyn Tiranës, dhe lehtësisht do të gjendet brenda rrjetave te hekurta të mafies bizneso-politike… Rrugës së tillë të ecur, Eva do të përfundojë në vilën e një bosi të fuqishëm, në bregdetin vjeshtor të zymtë dhe monoton shqiptar. Qëllon që kur nuk është bosi, sejmenët e lejojnë Evën për një shëtitje aty rrotull si një qenushkë e lidhur, e cila përballë një stuhie shiu, një paradite do të guxojë, e ndrojtur, të hapë derën e një lokali gati bosh aty pranë. Për dy-tre klientët e vetëm në një tavolinë dhe kamerierin, krejt kjo duket si një ngjarje e jashtëzakonshme: në këtë ditë gri, të shurdhër e monotone bregdetare, për t’u strehuar nga shiu hyn brenda vajza e bukur që kullon ujë. Rreth atyre dy-tre vetave në tavolinë është edhe shkrimtari Simon, personazhi kryesor i romanit, i cili mbase ka zgjedhur pikërisht qetësinë vjeshtore në bregdet, për të përfunduar romanin e radhës. Dhe lind natyrshëm, sa si ngasje kërshërie e tij për hyrjen e papritur të vajzës, sa nga paraqitja e pazakonshme, sa nga bukuria, ndrojtja, historia e saj, dhe lidhja emocionale, e fuqishme mes tyre, me këtë rast do të jetë fare e pritshme. Eva, me frikën depërtuar thellë, që e mban mbi shpinë e shpirt, mbase shpreson dhe beson se mund të shpëtojë nga kthetrat e bosave në krah të Simonit. Edhe Simoni, mbase i bindur se mund ta marrë në mbrojtje atë… Në fund të rrëfimit romanor krejt kjo përmbyset – edhe shpresa e Evës, edhe besimi i Simonit tretet si një ëndërr dhe rrëfimi ka një fund që të step: në terrin e një nate, duke ecur buzë detit, Eva, por edhe Simoni, do të dhunohen mizorisht nga hijet, hakmarrje e bosit, dhe klithmat e dy viktimave përhapen si në një thellësi terri të shkretë, që s’depërtojnë për askund, që nuk i dëgjon kush dhe duket se për shumë kohë do t’i përcjellë ky fat… Bartësit e romanit janë dy personazhe, Eva dhe Simoni, ose Simoni dhe Eva – me theksimin e rirenditjes për të shfaqur një qëndrim, për më shumë, meqenëse ky personazh është shkrimtar, e që rëndom personazhet e tilla në letërsi përvijohen si perspektiva autoriale. Paraqitja e Evës në skenën narrative të romanit e motivon, dhe e vë në lëvizje personazhin kryesor – shkrimtarin Simon, të sfidojë një segment të përditshmërisë sonë, moralisht në krizë, botës së deformuar për çfarë është i vetëdijshëm dhe të cilën e njeh mirë. Kështu, do të vihet në krah të Evës. Sa më shumë që e njeh dhe e dashuron, ai do ta marrë në mbrojtje më me pasion. Duke qenë edhe ashtu i zhgënjyer dhe i dëshpëruar me realitetin shqiptar, duke qenë kritik ndaj dhunës dhe brutalitetit cinik të strukturave mafioze të pleksura dhe mbështetura nga pushteti, shkrimtari Simon, në fillimin e të qenët bashkë me Evën, rrezaton besim se do t’ia dalë ta nxjerrë nga kthetrat ku ka rënë ajo. Do të dijë vallë, do të mundet t’ia dalë në krye si shpëtimtar i saj, tani nga statusi i të dashurit dhe shkrimtarit kritik dhe të zhgënjyer nga bota që e rrethon? Ka mundur të përballet me të keqen dhe të triumfojë, apo realiteti konkret është mur i papërballueshëm?  Por le ta lëmë për një çast hamendësinë tonë për këtë rol të tij, për ta sjellë në vëmendje Evën. Eva, pa dyshim është bërthama që rrezaton hapësirën narrative të romanit, është shije e shtresuar në të, edhe si ëndërrimtare, edhe si iluzioniste, edhe ëndrra për Tiranën, edhe gëzimi i saj i parë kur shkel në të, edhe zhgënjimi i saj i madh, edhe frika tulitëse deri në tmerr, kur e gjen veten në kthetrat tiranase. Ajo është bërthamë që i rrezaton të gjitha, është edhe vaji, klithja totale në terr, është mallkimi dhe përbuzja mbi këtë realitet tonin. Eva, prandaj, në këtë rrëfim të fuqishëm romanor, është me shpirt dhe vizion përtej Simonit që pothuaj nuk del dot nga bota e fiksionit. Ajo e ndien saktë se realiteti tiranas, shqiptar, ai të themi i elitës intelektuale, nuk ka as kurajë, as shpirt për ta pranuar atë, Evën, që virgjërisht një ditë, duke braktisur provincën, botërisht, para syve, do të gjendet si objekt seksi te një akuarium mediatiko-mafioz. Prandaj, duke qenë e zhveshur nga iluzionet letrare të Simonit, ajo në fillim refuzoi propozimin e tij për të shkuar bashkë në Sheratonin shqiptar, në një promovim libri të një shoku të Simonit. Më në fund, pasi do t’i bindet Simonit, do të dalë e fyer dhe e përbuzur mizorisht që andej, për arsye se edhe Simonin, një inercion a instinkt i turbullt, por ende në funksion, më shumë e vendosi krah elitës, shtresës së cilës i përket, sesa krah Evës, në atë show-promovim. Ka edhe momente të tjera narrative që, në këtë roman të madh të Nasi Lerës, Evën e nxjerrin personazh qendror të romanit.Nasi Lera është shkrimtar që, në romanin “Të gjithë premtojnë Parisin”, përmes ëndrrës, fatit, dramës, klithjes së Evës, të drejtës së saj të dhunuar mizorisht, lakuriqëson një pjesë të kontaminuar të përditshmërisë sonë nga mafia e veshur me pushtet.  Ali ALIU Akademik /Marrë nga MAPO/

/Ora News.tv/