Dy shqiptarë dhe 15 anëtarë të tjerë të një grupi të organizuar kriminal kanë rënë në prangat e policisë britanike. Banda ishte nën hetim prej më shumë se një viti dhe merrej me transportimin e drogave të forta. Operacioni policor rezultoi në kapjen e sasisë më të madhe të kokainës me vlerë 20 milionë paund.

Plot 17 anëtarë të një rrjeti të organizuar të trafikimit të kokainës janë dënuar me 120 vite burg në total nga një gjykatë britanike.

Mes të dënuarve janë edhe dy shtetasit me origjinë shqiptare, Taulant Paja dhe Islam Grana, ndaj të cilëve u vendos një masë dënimi përkatësisht 6 dhe 7 vjet.

Operacioni i policisë britanike në qytetin veriperëndimor të Çeshërit u përmbyll me sukses me kapjen në flagrancë të sasisë më të madhe të kokainës në terren, me vlerë që shkon në 20 milionë paund.

Në pranga ra udhëheqësi i bandës, Xhemi Simpson, dhe tre anëtarë të tjerë të cilët janë dënuar me nga 35 vite burg secili.

Ata u arrestuan teksa po shoqëronin me makinë sasinë e kokainës përgjatë autostradës.

Rrjeti i organizuar kriminal transportonte dhe shpërndante te klientët lëndë të forta narkotike përmes bazave në të gjithë territorin anglez.

Pjesë e grupit ishin punëtorët e lavazheve të makinave dhe individë të klasës së mesme që kërkonin pasurim të shpejtë.

Dy shqiptarët, 22-vjecari Paja dhe 27-vjecari Grana, u zbuluan nga autoritetet teksa po përgatiteshin të transportonin 1 kilogramë kokainë në portin e Midëlsbrouit.

Paja kishte në pronësi një lavazh makinash të cilët e operonte me bashkëpunëtorin e tij shqiptar.

Gjatë momentit të arrestimit, në telefonin e 27-vjeçarit Grana u gjet një video duke numëruar 150 mijë paund.

Rrjeti kriminal po hetohej nga detektivët vendës prej 14 muajsh.

(Në foto: Taulant Paja)


(Në foto: Islam Grana)


(Në foto: krerët anglezë të bandës së drogës)


(Momenti i arrestimit)


/Ora News.tv/