Kryeministri Edi Rama dha lajme të mira për qarkun e  Gjirokastrës pas mbledhjes së qeverisë këtë të hënë. Shefi i qeverisë njoftoi nisjen e dy projekteve të rëndësishme në infrastrukturë.

Rama: Fillon së shpejti ndërtimi i By-pass-it të Tepelenës, një pjesë e rëndësishme e segmentit kombëtar. Po ashtu fillon së shpejti, edhe ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, një investim i rëndësishëm strategjik, që më në fund bëhet realitet duke nisur nga ky vit.

Janë një sërë projektesh të tjera që lidhen me të gjitha bashkitë e qarkut. Kam parasysh edhe një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në ujësjellës nga Dropulli, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Tepelenë, Libohovë, si dhe projekte që janë pjesë e programit të qeverisë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore, të cilat do të transformohen rrënjësisht në qendra shëndetësore moderne, si dhe me 52 shkollat që nisin rindërtimin në muajt e ardhshëm, ku edhe Gjirokastra ka pjesë. Dua të përmend ndër të tjera edhe rindërtimin e shkollës profesionale, duke vazhduar dhe me shkollat e mesme në Përmet, në Këlcyrë, si dhe me shkollat e tjera 9-vjeçare në të gjithë Qarkun.  

Gjirokastra si qark është edhe pjesë e Programit të 100 fshatrave, me 13 fshatra specifikë, të përzgjedhur për të nxitur më tutje zhvillimin e turizmit, të agroturizmit dhe të agropërpunimit, ku ka një traditë të rëndësishme në të gjithë zonën.

Ndryshe nga këto, një projekt i lënë në mes për një aeroport në Gjirokastër nuk është një plan i afërt.

Rama: Kjo nuk është çështje zgjedhjeje diskriminuese apo favorizuese. Kjo është çështje llogarish dhe investimi në aeroportin e Vlorës ka tjetër ekonomi shkalle dhe investimi i mundshëm në raport me aeroportin e Gjirokastrës ka tjetër ekonomi shkalle. Kështu që është çështje e interesit dhe e potencialit. Ne nuk kemi hequr dorë, por ajo që mund t’ju them është që jemi në diskutime, ka disa opsione, natyrisht nuk do bëjmë dy aeroporte, një në Gjirokastër e një në Sarandë se kjo nuk ka asnjë kuptim dhe jemi duke eksploruar disa opsione dhe me siguri do t’i vijë radha edhe aeroportit të zonës. 

A do jetë në Gjirokastër a do jetë në Sarande, kjo është  një çështje që përsëri do ta vendosin shifrat, do ta vendosin llogaritë, por është e sigurt që ne do fillojmë të ndërtojmë aeroportin e Vlorës. Është e sigurt që ne do të fusim në operacion aeroportin e Kukësit, kështu që nga një aeroport në tre aeroporte, është një hap. Patjetër që nëse do të vlerësohet që do të ketë një opsion realist për Gjirokastrën, për zonën, do ta bëjmë, por kjo varet nga interesimi i sipërmarrjes që ka fuqi të financojë operacione të tilla. Nuk janë operacione që i financon qeveria.

 

/Ora News.tv/