Aksi rrugor që lidh Gjirokastrën me Lazaratin do ti nënshtrohet një ndërhyrje të plotë. Investimi do të prekë shifrën prej 1 milion euro ku do të rehabilitohen rreth 3.5 kilometër. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro gjatë inspektimit të punimeve u shpreh se në këtë aks do të ofrohen të gjithë standardet e qarkullimit

Qendro: “Duke filluar nga rrethrrotullimi i ashtuquajtur i Lagjes Punëtore deri në fundin e fshatit Lazarat ku bëhet dhe lidhja me pjesën e rrugës së re. Është një rehabilitim që i ka të gjithë elementët, paketën e shtresave, tumbinot, kanalet dhe veprën në të cilën ne ndodhemi, një tumbino e madhe e cila ka qenë shumë problematike në funksionimin e aksit. Është një investim gati 1 milion euro në këtë projekt dhe ne mendojmë se edhe sipas grafikut të punimeve, brenda Dhjetorit ta kemi të mbyllur këtë vepër dhe ky aks i rëndësishëm i korridorit veri-jug të jetë në standard”.

Ndërkohë, dy akse të tjera nacionale do t'i nënshtrohen rikonstruksionit duke nisur nga e hëna, posaçërisht aksi Shkodër (Ura e Bunës)–Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin (Knallë).

Sa i përket ndërhyrjes në aksin Shkodër-Murriqan, parashikohet prishja e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjithë shtresave të reja asfaltime në gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë rrugore. Ndërhyrja parashikon instalimin e barrierave mbrojtëse ndaj rënies së gurëve. 

Gjatë ditës së hënë do të bllokohet dhe devijohet trafiku në rrugën nacionale Lezhë – Shëngjin ne të dy sensent e lëvizjes në vendin e quajtur Knalle ku edhe do te kryhet ndërhyrja.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon: Lëvizja e të gjitha mjeteve në drejtim me destinacion Shëngjinin të devijohet majtas në Knallë në aksin rrugor Kënallë-Kunë.

Gjithashtu drejtuesit e mjeteve ne drejtimin nga Shëngjini në Lezhë duhet të devijohen djathtas në aksin rrugor Kënallë – Kunë

Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

/Ora News.tv/