Flamurtari do ta nis vitin 2018 në një sfidë kundër Partizanit. Janë dy përballje në pak ditë midis kryeqytetasve dhe kuqezijve pasi në mesjavë do të kemi dhe duelin për Kupën e Shqipërisë. Trajneri i vlonjatëve, Shpëtim Duro vlerëson skuadrën e Starovës por thekson se objektivi i Flamurtarit është vazhdimësia.

"Fillojmë pjesën e dytë të kampionatit me një ndeshje sigurisht të veçantë. Kemi përballë një skuadër me emër si Partizani. Është diçka pozitive një përballje tradicionale."

Mungesa kryesorë për Flamurtarin në këtë takim do të jetë ajo e mesfushorit Muharem, i ardhur në Vlorë gjatë merkatos së dimrit.

"Normalisht e kemi deklaruar sepse një ditë para përfundimit të përgatitjeve kishte një kontraktiv muskulor. Nuk është shumë serioz por nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë."

Duro ndër të tjera thekson se duke pasur parasysh takimin pret sa më shumë tifozë në stadium, ndërsa ka konfirmuar se pavarësisht se nuk është hera e parë që luan kundër Partizanit, emocionet për të janë gjithnjë të pranishme.

"Shpresoj domethënë që stadiumi të jetë i mbushur nga sportdashësit vlonjat për arsye se është fillimi i 2018-tës por njëkohësisht është edhe një përballje ndaj Partizanit që siç e thashë me mjaft autoritet. Për mua sidomos të luaj kundër Partizanit është diçka e veçantë, duke pasur parasysh se gjatë karrierës time edhe si futbollist edhe si trajner e kam kaluar tek Partizani."

Flamurtari renditet në vendin e dytë në Kategorinë Superiore, ndërsa Partizani ka një distancë prej 4 pikësh me kuqezijtë. 

/Ora News.tv/