Ekskluzive/ Duncan Norman: Do të ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e integrimit

Ekskluzive/ Duncan Norman: Do të ndihmojmë Shqipërinë

Në një intervistë për Ora News, ambasdori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman tha se Britania do të vazhdojë të fokusohet në ndihmën ndaj Ballkanit Perëndimor edhe kur mos të jetë pjesë e BE duke rritur fondin nga 41 në 80 milinë paund. Ambasadori Norman tha se ka investitorë britanikë që janë të interesuar të investojnë në Shqipëri por janë duke pritur ecurinë e reformës në drejtësi. Gjithashtu ambasadori nënvizoi nevojën e goditjes së krimit të organizuar tek kriminelët seriozë ndërsa për vendimin e Këshillit Europian për negociatat, Duncan Norman e sheh edhe si sukses edhe si dështim

Zoti Ambasador faleminderit për intervistën.

Duncan Norman: Faleminderit juve

Më shumë se një javë më parë, Samiti i Ballkanit Perëndimor mes 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe liderëve të Bashkimit Europian u zhvillua në Londër ku pritëse ishte kryeministrja May. Në të njëjtën ditë Ministri i Jashtëm britanik dha dorëheqjen për shkak të kontradiktave për sa i përket BREXIT. A po ndikon situata aktuale politike në Britani në axhendën e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Duncan Norman: Nuk mendoj se këto të dyja kanë lidhje me njëra-tjetrën. Sikurse e dimë në vitin 2016, njerëzit në Britani votuan për të dalë nga Bashkimi Europian dhe qeveria tani po e plotëson këtë dëshirë. Nëse është mirë apo jo për Britaninë të dalë nga Bashkimi Europian kjo është diçka krejtësisht e ndryshme nga çështja nëse është mirë apo jo për Shqipërinë t’i bashkohet Bashkimit Europian dhe qartësisht ka shumë avantazhe për Shqipërinë që të bashkohet me BE. Britania e Madhe do të vazhdojë të bëjë gjithçka mundet për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e reformave në mënyrë që të mundet të arrijë këtë aspiratë. Çfarë mund të jetë e mirë për Shqipërinë mund të jetë diçka ndryshe nga ajo që është e mirë për Britaninë.

Cilat ishin përfundimet kryesore të Samitit  të Ballkanit Perendimor mbajtur në Londër?

Duncan Norman: Ne jemi shumë të kënaqur me mënyrën si shkoi samiti i Ballkanit Perendimor  në Londër dhe shumë gjëra dolën prej tij. Përshembull deklarata e krerëve të qeverive për të punuar së bashku për një bashkëpunim më të mirë rajonal duke përfshirë njerëzit e zhdukur dhe krimet e luftës. Ka patur gjithashtu një deklaratë tjetër nga ministrat e brendshëm të cilët ranë dakord për ndarje më të mirë të informacionit, e cila është një gjë e rëndësishme për të luftuar krimin e organizuar në gjithë rajonin në mënyrë të suksesshme. Nga pikëpamja e Britanisë, Kryeministrja lajmëroi se po rrisim fondin për shtetet e Ballkanit Perëndimor nga 41 milionë paund sa është tani, në 80 milionë paund. Kjo është një rritje e madhe dhe do të jetë një program domethënës për Ballkanin Perëndimor. Nje pjesë prej këtyre parave, 10 milionë paund ka për qëllim të ndihmojë nxënës së Ballkanit Perëndimor që të mësojnë aftësi dixhitale dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për të ardhmen ekonomike të të gjithë rajonit.

Të gjitha këto janë në kuadrin e deklaratave. A mund të flitet për rezultate konkrete nga këto samite?

Duncan Norman: Rezultati konkret i çdo samiti është se për çfarë bien dakord liderët për të bërë, prandaj deklaratat janë të rëndësishme. Gjithashtu ka të bëjë me atë që vendet do të vazhdojnë të bëjnë, atë që vendet ofrojnë për të bërë më shumë se sa kanë bërë në të kaluarën. Ne pamë që Britania u zotua për të shtuar fondin, të dyfishojmë sasinë e fondeve në 80 milionë paund dhe pamë Komisionin Europian që lajmëroi një program të ri për të ndihmuar sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me një vlerë rreth 150 milionë euro. Pra, nëse flasim për suksesin e samitit, ka një mbështetje më të madhe politike dhe një marrëveshje të liderëve të Ballkanit Perëndimor për të punuar ngushtë me njëri-tjetrin. Ka të bëjë me marrjen e mbështetjes së atyre vendeve që janë pjesë e procesit të Berlinit për të dhënë ndihmë politike dhe financiare për ta shndërruar rajonin në një sukses. Këto ishin sipas meje rezultatet konkrete të samitit të Londrës

Në fund, qëllimi është integrimi europian i këtyre vendeve... kur do i marrë frytet e veta ky proces? Kur mund të integrohen këto 6 vende në Bashkimin Europian?

Duncan Norman: Procesi i Berlinit është i ndarë nga Bashkimi Europian, pra Britania e Madhe do të jetë anëtare e procesit të Berlinit edhe në të ardhmen edhe kur të mos jetë anëtare e Bashkimit Europian. Ka të bëjë me përgatitjen e vendeve për të qenë gati për t’iu bashkuar Bashkimit Europian por nuk është drejtpërdrejt e lidhur, vendimi nuk merret nga ky proces. Vendimi do të merret nga Këshilli Europian dhe vendimi i radhës do të jetë në qershorin e ardhshëm.

Këtë herë temat ishin stabiliteti ekonomik, përmirësimi i klimës së biznesit, inkurajimi i biznesit, papunësia e të rinjve ... Në raportin vjetor të Komisionit Evropian, pjesa ekonomike apo konkurrueshmëria e ekonomisë rajonale me BE nuk ishte aq optimiste. Çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të arritur një nivel të mirë konkurrueshëmrie?

Duncan Norman: Mendoj se pjesa më e madhe e përgjigjes lidhet me atë që po përpiqet të bëjë procesi i Berlinit që është një bashkëpunim më i mirë rajonal dhe një pjesë e rëndësishme e saj është një bashkëpunim më i mirë ekonomik. Pra, ka të bëjë me rastin që një kompani që mund të krijohet në Shqipëri mund të shesë gjërat që prodhon në Shqipëri por gjithashtu përtej kufirit, në Kosovë, Maqedoni dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor pa patur vështirësi të mëdha për sa i përket burokracisë dhe kostove. Ka të bëjë me si vendet e Ballkanit Perëndimor do të rrëzojnë këto barrierat e tregtisë për ta bërë më të thjeshtë për kompanitë të vijnë dhe të vendosen këtu dhe të këtë përfitimet që mund të sjellë aksesi në të gjithë rajonin.

A është e nevojshme një bashkëpunim më i mirë ekonomik brenda rajonit përpara se rajoni të integrohet në Bashkimin Europian? A mund të integrohet secili vend individualisht apo si një rajon i tërë?

Duncan Norman: Çdo vend gjykohet individualisht për meritat e tij. Vendet e rajonit mund të ndihmojnë njëri-tjetrin për të patur sukses në aspiratat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Pra, kontrollohen individualisht por është më mirë nëse si rajon kanë bashkëpunim më të mirë ekonomik dhe kjo ndihmon çdo vend në rrugën e tij. Pra, kjo është një  nga gjërat që procesit i Berlinit kërkon të arrijë, të ndërtojë bashkëpunim më të mirë në rajon në ekonomi, në politikë, në siguri dhe duke e bërë këtë, padyshim që do të përmirësohet edhe perspektiva e çdo vendi në rajon për t’u bashkuar me Bashkimin Europian.

 A janë të interesuar ose a kanë në plan investitorët britanikë të vijnë të investojnë në Shqipëri me këtë klimë aktuale ekonomike dhe politike?

Duncan Norman: Unë kam disa kontakte të rregullta me investitorë britanikë që janë të interesuar të investojnë në Shqipëri por ata janë gjithashtu të interesuar të kenë një sistem ligjor që do të sigurojë drejtësinë që atyre u duhet për të patur sukses në bizneset e tyre. Shumë kompani në Britani po presin të shohin se çfarë po ndodh me procesin e reformës në drejtësi  dhe nëse e gjykojnë të suksesshme atëherë ata kanë më shumë gjasë për të investuar. Pra, Po, ka interes por kompanitë janë të interesuar të shohin se çfarë do të ndodhë

Në raportet tuaja, cili është vlerësimi juaj për procesin e vetingut deri tani?

Duncan Norman: Unë kam ardhur në Shqipëri në korrik të vitit 2016, në të njëjtën javë që parlamenti miratoi me të gjitha votat e të gjitha partive, ndryshimet kushtetuese. Nëse shohim prapa, duhet të kujtojmë se çfarë kohe e mirë ishte ajo. Që prej atëherë, shumë progres është bërë, legjislacioni ka kaluar në parlament dhe procesi është duke ndodhur në mënyrë që të bëjë reformën në drejtësi një realitet. Mendoj se çdokush do të binte dakord me mua që në një botë ideale, gjërat do të shkonin më shpejt por kanë marrë kohë për të ndodhur, mbase sepse ajo që dëshirohet të arrihet është e ndërlikuar dhe sfidat janë të mëdha. Ka marrë kohë por gjithsesi këndvështrimi im është se më mirë të merret pak kohë dhe të bëhet saktë se sa të nxitojmë dhe të perfundojme me diçka jo dhe aq te mirë.

Sipas mendimit tuaj, kjo vonesë është diçka shqiptare?

Duncan Norman: Ka shumë arsye pse ka ndodhur kjo vonesë dhe është e dokumentuar. Mendoj se ajo që duhet të fokusohemi tani është përqëndrimi për të t’i shkuar deri në fund kësaj rruge, Nuk është diçka e mirë të gjejmë rrugë shkurt nëse duam të kemi rezultate te mira.

 Ne jemi në fazën ku po pastrojmë drejtësinë nga gjykatësit dhe prokurorët e këqinj le të themi por akoma nuk kemi ndërtuar institucionet e reja të reformës në drejtësi si SPAK apo BKH.A janë të domosdoshme këto sipas jush për klimën e biznesit apo klimën politike në vend, në mënyrë që investitorët të vijnë të investojnë në Shqipëri? Sa e rëndësishme është krijimi i këtyre institucioneve?

Duncan Norman: Të gjitha insitutcione te drejtësisë që janë parashikuar në reformë janë të rëndësishme dhe sa më shumë që reforma në drejtësi përparon, sa më shumë e suksesshme të jetë, aq më tërheqëse do të bëhet Shqipëria për një investitor. Kjo është e qartë. Investitorët do të shohin me kujdes kornizën ligjore të sistemit të drejtësisë përpara se të vendosin. Problemi është se investitorët nuk u duhet të vijnë në Shqipëri, ata mund të investojnë kudo, kjo është vështirësia për të gjitha vendet, dhe Shqipëria ka nevojë të bëhet sa më shumë tërheqëse në mënyrë që investitorët të vijnë. Kjo do të thotë që të bëhet reforma në drejtësi e cila nuk duhet të jetë vetëm në letër por duhet të jetë diçka e vërtetë.

Tema tjetër e rëndësishme në Samit ishte siguria dhe bashkëpunimi rajonal në lidhje me të. Kjo përfshin gjithashtu luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. A jeni i kënaqur deri tani me rezultatet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Duncan Norman: Ka shumë gjëra të mira, ka patur disa suksese të rëndësishme për sa i përket 600 kilogramëve të kokainës që u gjetën dhe ka patur një historik të mirë të arrestimeve, shumë njerëz janë arrestuar. Task Forca që ngriti ministria e Brendshme po funksionon dhe po ndryshon diçka. Pra ka shumë gjëra pozitive. Sigurisht, vështirësia është se një prej gjërave që kërkohet është një hisotrik të hetimeve të suksesshme, arrestimeve dhe ndjekjeve penale të kriminelëve seriozë dhe kjo është gjëja që ende duhet të shohim. Duhet të shohim që këta drejtues të krimit të organizuar të dalin përpara gykatës.

Kur flasim për dënimet apo historikët, ende na mungojnë peshqit e mëdhenj...

Duncan Norman: Nuk ka shumë peshq të mëdhenj

A është ky një problem?

Duncan Norman:Sigurisht. Nëse do të godasësh seriozisht krimin e organizuar. Jo vetëm këtu, ne kemi shumë forma të krimit të organizuar edhe në Britani, çdo vend e ka, por për ta goditur atë nuk mund të arrestosh vetëm njerëzit atje poshtë, por edhe drejtuesit e këtyre organizatave.

Kemi dëgjuar diplomatë të flasin për peshq të mëdhenj. Kur një diploamt flet për peshq të mëdhenj, çfarë do të thotë?

Duncan Norman: Peshqit e mëdhenj janë drejtuesit e një grupi të organizuar kriminal apo anëtar me peshë që lehtëson krimin e organizuar.

Shumë e lidhin këtë me politikanët?

Duncan Norman: Një kriminlel i këtyre organizatave mund të jetë nga profesione të ndryshme. Mund të jetë një biznesmen përshembull por mund te jetë një politikan ose ish politikan. Pra absolutisht, pjesa e rëndësishme është se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk duhet të ndihet se është mbi ligjin dhe për të mposhtur në mënyrë të suksesshme krimin e organizuar, duhet të luftojmë pandëshkueshmërinë.

Në fund të qershorit, Këshilli Europian nuk vendosi të hapë menjëherë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Ata thanë se do të ndodhë vitin e ardhshëm nëse Shqipëria i plotëson kushtet. Me fjalë të thjeshta, ky është një sukses apo një dështim? Si duhet ta konsiderojmë këtë?

Duncan Norman:Mendoj se është edhe sukses edhe dështim. Ishte sukses sepse Shqipëria mori lavdërime për progresin domethënës dhe reformat e ndërmarra. Është dështim sepse shumë njerëz u zhgënjyen që negociatat nuk u hapën menjëherë. Duhet të kalojë ende një vit tjetër. Një tjetër vit ku kërkohen më shumë reforma dhe më shumë detyra shtëpie për të bërë. Ne kete kendevshtrim Është zhgënjyese por nuk duhet të harrojmë progresin e madh që Shqipëria ka bërë për të arritur në këtë pikë.

Britania na mbështeti por a meritonm hapjen e negociatave këtë herë?

Duncan Norman:Siç e thashë ka patur një historik të mirë të gjërave që Shqipëria ka bërë. Pozicioni i Britanisë së Madhe ishte mbështetës por sigurisht për ne është një kohë e vështirë sepse do të bënim gabim të merrnim një rol drejtues për sa i përket se cili vend duhet të anëtarësohet kur ne vetë po largohemi. Pra, është e drejtë t’ia lëmë të tjerëve të marrin vendimet e mëdha.

Në qershor të vitit 2019, me siguri Britania nuk do të jetë pjesë e BE, por çfarë mendoni për negociatat me Shqipërinë?

Duncan Norman:Ajo  që mendoj se është e rëndësishme ëhstë që Britania t’i kushtojë vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja që Samiti i Ballkanit Perëndimor u mbajt në Londër. Ne duam të tregojmë se ky rajon është shumë i rëndësishëm për ne. Ne do të vazhdojmë të jemi të fokusuar me atë që do të ndodhë në procesin e reformave dhe do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar Shqipërinë të përgatitet për të marrë një vendim pozitiv qershorin e ardhshëm.

Faleminderit shumë zoti Ambasador

Duncan Norman: Faleminderit juve!


EMISIONET