Në Beograd nuk është e qartë pse Aleksandar Vuçiç do të udhëtojë në Kroaci. Këtë dilemë e kanë shtruar shumë media në Beograd por edhe në Zagreb.

Disa thonë se Vuçiçi është i mirëseardhur në Zagreb, ndërsa bashkëpunëtorët më të ngushtë të Vuçiçit në Beograd thonë se ai nuk duhet të shkojë në Zagreb. Ndaj shumë analistë në Beograd thonë se presioni i Perëndimit është shkaku i vetëm pse raportet Serbi-Kroaci janë ende në një nivel korrekt. Ata thonë se pikërisht Perëndimi qëndron pas kësaj vizite.

Serbia dhe Kroacia - armiq të preferuar

Ka dhe të tillë që mendojnë se vizita duhet të realizohet, por fakt është që shumica e palës serbe dhe kroate nuk duan një normalizim të sinqertë të raporteve. „Nuk shoh kurfarë dëshire të palëve për zgjidhjen e të gjitha problemeve", thotë për DW, Dragan Popoviç, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike. Kur shikon ngjarjet e viteve të fundit, nuk sheh ndonjë dëshirë dhe qëllim për zgjidhjen e problemeve serioze, por vetëm një përpjekje për të përfituar pikë politike me truke populiste dhe nacionaliste. Fitohet përshtypja që palët nuk duan ta humbin "armikun e tyre të preferuar". Madje edhe sikur të ekzistonte vullneti për zgjidhjen e problemeve, por me punë të përditshme".

Vuçiçi përfiton më shumë?

Atmosfera në raportet mes këtyre dy vendeve nuk është e mirë, nënvizon Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonet. Nga kjo vizitë nuk mund të pritet shumë, sepse nuk është krijuar një ambient, nga i cili mund të ketë rezultate të mira. Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviç ka lënë të kuptohet se vizita ka ardhur pas presioneve nga Brukseli e ndoshta edhe Uashingtoni. Këtë dëshmon edhe fakti që kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ka marrë vesh për vizitën pothuajse nga mediat. Mendoj se kjo do të jetë një vizitë protokollare dhe se palët do të vazhdojnë me retorikën e ashpër mes Beogradit dhe Zagrebit. Popov mendon se Vuçiçi do të përfitojë më shumë nga kjo vizitë, sepse ai do të shkojë në Zagreb përkundër ofendimeve dhe protestave të paralajmëruara në Zagreb”.

Pagesa e dëmeve të luftës?

Shumë vëmendje në Beograd ka zgjuar deklarata e kryeministrit të Kroacisë Plenkoviç, i cili tha se në rend dite mund të jetë edhe pagesa e dëmeve të luftës, të cilat Serbia duhet t'i paguajë Kroacisë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç thuhet se ka qenë i shokuar me këtë deklaratë dhe i ka sugjeruar Kroacisë se do të ishte më mirë që të mos hapë këtë çështje. Janë përmendur edhe kalkulime të ndryshme financiare. Në mediat serbe thuhet se Kroacia ka llogaritur që Serbia duhet t'i paguajë asaj 32 miliardë euro. Ndërsa Serbia pohon se pala kroate u ka borxhe serbëve, në emër të pasurive të okupuara, kursimeve në deviza, pensioneve të pa paguara, pasurisë së okupuar të Kishës Ortodokse Serbe dhe pasurisë së sipërmarrjeve, rreth 40 miliardë euro!

Dragan Popoviç mendon se kjo temë megjithatë nuk do të hapet gjatë kësaj vizite. "Kjo është një temë, e cila i shërben kryeministrit Plenkoviq për të përfituar ndonjë pikë politike karshi presidentes Kolinda Grabar Kitaroviç. Për të vendosur këtë temë në rend dite, së pari duhet të bëhen përllogaritjet për dëmet e luftës, personat e dëbuar dhe krimet e luftës. E të mos flasim për mungesën e bazës juridike për pagesën e dëmeve të luftës".

Vulini flet ate që mendon Vuçiçi

Retorika në prag të vizitës nuk është premtuese. Mediat kroate flasin për vizitën e "çetnikut Vuçiç", ndërsa ministri serb i Mbrojtes Aleksandar Vulin, i sugjeron Vuçiçit që të mos shkojë fare në Zagreb, sepse atje "në sheshe e presin ustashët dhe se do t'i ndodhë diçka e ngjashme si në Srebrenicë". Vet Aleksandar Vuçiç mendon se vizita do t'i qetësojë tensionet, por dilema kryesore mbetet: cilat janë mesazhet që Serbia i dërgohen Kroacisë - ato të Vuçiqit apo Vulinit?

„Mendoj se në Zagreb të gjithë e kanë të qartë se Vulini flet atë që mendon Vuçiçi, por vet nuk guxon ta thotë", vlerëson Dragan Popoviç. Dilema e vetme është nëse Zagrebit i përshtaten më shumë provokimet dhe deklaratat luftënxitëse, apo tonet e qeta? Kjo varet natyrisht nga zhvillimet e brendshme në Kroaci. Por kam frikë se qeverisë më shumë i shkon për shtat ajo që flet Vulini".

Retorika e Vulinit shihet si një dëshmi e mungesës së sinqeritetit dhe vullnetit të Serbisë për përmirësimin e raporteve me Kroacinë. „Në njërën anë keni deklaratat e presidentit Vuçiç, i cili thotë se në Kroaci do të shkojë me mesazhe paqësore, e në anën tjetër disa krerë të partisë së tij SNS dhe mediave të kontrolluara përhapin një histeri antikroate", thotë Popoviç.

Moratoriumi

Një zgjidhje e mundshme për tejkalimin e gjendjes do të ishte, mendon Aleksandar Popov, mos-reagimi i palës serbe ndaj provokimeve nga Zagrebi. „Mendoj se Serbia do të përfitonte në këtë mënyrë, sepse Kroacia është anëtare e BE. Atë e ka paralajmëruar Brukseli për radikalizëm dhe rehabilitimin e ushtashëve, si dhe grindjet me gati të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë. Por retorika e tillë duket se po përdoret nga të gjithë".

Propozimi i presidentit të Serbisë që në gjashtë muajt e ardhshëm të mos flitet për temat nga e kaluara do të përfundonte saktësisht me 4 gusht (përvjetori i dëbimeve masive të serbëve nga Kroacia). Popoviç thotë se pala serbe duhet të insistojë në hapjen e temave të rënda, sepse gjërat duhet të sqarohen dhe pasojat mundësisht të eliminohen. "Më e keqja do të ishte që tani të fusim ndonjë moratorium dhe të mos flasim për gjërat që e mundojnë popullin serb apo kroat", thotë Popoviç./DW/

/Ora News.tv/