Policia e Kurbinit ka arrestuar një 34-vjeçar nga Fushë -Mamurrasi, pasi gjatë kontrollit në banesë dhe magazinën e lokalit në pronësi të tij u gjetën drogë, tritol dhe municione.

Arrestimi i Zef Markut u bë në kuadër të kontrolleve policore me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim, si dhe zbardhjen e dokumentimin e ngjarjeve të mëparshme.

Gjatë kontrolleve, janë  shoqëruar në ambientet e policisë për verifikim 10 persona,  kryesisht me precedentë penalë për   armëmbajtje pa leje , vjedhje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.

Policia thotë se në banesën e Zef Markut u gjetën:

- 2 kallepë lëndë plasëse TNT

- 3 kapsolla elektrodetonatore

- 1 granatë difensive

- 310 fishekë model 56

- 130 gr. lëndë narkotike e dyshuar Marijuanë

- 1 mjet me targa që i përkasin një mjeti tjetër

- 20 celularë dhe 3 numra telefoni

- 20 vegla pune të ndryshme (motosharra, pompa uji, saldatriçe, gur fresibël etj.)

- 13 pajisje elektronike (laptop, magnetofon, 6 aparate fotografike digitale etj)

- 6 pajisje elektroshtëpiake ( televizor, hekura, pajisje vakumi etj.)

- 3 kuti me aksesorë të ndryshëm (kaçavida, çelsa)

- pajisje makinash (3 çelësa automjetesh , aparate navigatore, aparate për karikim baterish) etj.

"Këto materiale dyshohen të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale e vjedhjes së banesave, magazinave, serviseve etj, të ndodhura në territorin që mbulon Komisariati i Policisë Kurbin, për të cilat po punohet për dokumentimin ligjor të tyre", sqaron policia në njoftimin zyrtar.  

Po ashtu policia thotë se kontrollet do të vijojnë në gjithë Qarkun e Lezhës, me qëllim goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë.


/Ora News.tv/