Drejtësia jashtë kontrollit, 50% të shkarkuar nga vettingu. Krasniqi: Po veprohet me dy standarde

Drejtësia jashtë kontrollit, 50% të shkarkuar nga vettingu.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është duke përdorur standarde të dyfishta për gjyqtarët dhe prokurorët, gjë që cënon edhe besueshmërinë në procesin e vettingut.

Në këtë përfundim ka dalë Instituti i Studimeve Politike bazuar në monitorimin e bërë që nga nisja e procesit të rivlerësimit të 21 marsit 2018 deri në muajin gusht, ku në sitën e KPK-së kanë kaluar 57 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa kanë dhënë dorëheqjen 14 gjyqtarë dhe ndihmës ligjorë.

Afrim Krasniqi: Deri tani kemi 21 persona të rrëzuar, 20 të kaluar pa apelim ndërkohë që 7 nga individët të cilët kanë kaluar nivelin e parë janë apeluar nga Komisioneri Publik. Procesi është jashtëzakonisht i vonuar. Kemi disa rezultate të cilat tregojnë se ka standarde të dyfishta të rivlerësimit.

Në këtë raport thuhet se problemi kryesor me të cilën po ndeshet reforma është boshllëku i krijuar midis procesit të vettingut dhe krijimit të institucioneve të reja.

Ky fakt sipas Krasniqit i ka gjetur të papërgatitur të gjitha palët dhe sipas tij skenari më optimist për krijimin e tyre është pranvera e vitit të ardhshëm.

Afrim Krasniqi: Ka një presion politik të gjithanshëm nga aktorë të ndryshëm direkt apo indirekt për ta vonuar procesin.Është thënë dhe premtuar nga BE dhe aktorë vendas që organe të reja do të ngriheshin në vjeshtë të këtij viti. Në fakt është e pamundur edhe teknikisht për tu ngritur dhe hapësira më e mirë dhe më e mundshme për tu ngritur mund të jetë pranvera e ardhshme nëse aktorët politikë do të kenë vullnetin për të mbajtur premtimet që kanë dhënë para komunitetit ndërkombëtar.

Gjithashtu një tjetër problematikë sipas politologut Krasniqi është edhe mungesa e monitorimit të sistemit aktual të drejtësisë.

Afrim Krasniqi: Ne kemi një numër të madh prokurorësh dhe gjyqtarësh të cilët sipas parashikimeve priten që tu vijë radha pas dy vitesh, të cilët janë terësisht jashtë kontrollit dhe për shkak se një pjesë e tyre janë të korruptuar ata vazhdojnë të kryejnë akte korruptive në vendimmarrjen e tyre, në hetim apo gjykim.

Prania e faktorit ndërkombëtar është thelbësore në besueshmërinë e procesit të rivlerësimit të zyrtarëve të drejtësisë. Ndërkohë Krasniqi theksoi se është i domosdoshëm krijimi i SPAK-ut dhe nxjerrja para drejtësisë e figurave të larta politike që janë implikuar në shkelje të ligjit.

BILANCI I VETTINGUT 2018   

Janë shkarkuar      21

Janë konfirmuar    27

Janë dorëhequr      3

Në proces              6

Apeluar ne Kolegj   7  nga 27

Në total         57

EMISIONET