Grupet e punës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë janë në përfundim të diskutimit për statusin e minatorit Kryeministri Edi Rama në një videokonferencë me sindikatat e minatorëve nënvizoi se  zgjidhja do të jetë gjetja e një të mesme të artë që të mos rëndojë buxhetin por të kënaqë edhe punonjësit e nëntokës.

Kreu i qeverisë u shpreh se në listat e minatorëve ka shumë abuzues dhe kjo është pjesë e rëndësishme e procesit.

Rama: Jemi në kushtet kur ka një dialog dhe ka një ndërveprim mes qeverisë dhe grupeve të ndryshme të sindikatave të minatorëve.Kemi gatishmërinë dhe fleksibilitetin e duhur për të avancuar deri aty ku e mban buxheti dhe interesi i përgjithshëm.  Kemi shumë probleme me dokumentacionet e trashëguara dhe qasja drejt statusit nëse nuk pastrohet skema bëhet kërcënuese për vetë rezultatin.

Brenda këtij muaji drafti i cili përcakton të drejtat e minatorëve përfshirë edhe statusin e shumë kërkuar edhe në protesta do të jetë gati. Kjo u bë e ditur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

Gjiknuri: Brenda prillit ne kemi një draft deri diku të dakordësuar. Realizuam uljen e moshës së pensionit, me kosto financiare për shtetin por ishte gjë shumë e mirë që ndodhi. Kemi pritur të vijë ky draft i dakordësuar, jemi në komunikim. Do inicioj që pas kësaj interpelance grupi i punës të takohet me sindikatat për draftin e ardhur nga një grup i sindikatave. Mendoj se paga minimale mund të realizohet. Pjesa tjetër janë çështje që kanë implikime financiare dhe ne duhet ti shohim së bashku që të gjejmë një të mesme të përbashkët

Teksa shpalosën kërkesat e tyre një minator nga Mirdita mes batutave pati një rekomandim për Ramën: "Kryeministër preje pak majtas timonin se shumë djathtas po ec. Jemi njerez ne nevoje. Preje edhe pak majtas per njerezit ne nevoje"

Por në kundërpërgjigje, shefi i qeverisë tha se i gjithë përceptimi për rritjen e taksave është një keqkuptim dhe në shumicën e rasteve sipas tij ngatërrohet me tarifat e pushtetit vendor.


/Ora News.tv/