Presidenti Donald Trump ka anuluar një samit shumë të rëndësishëm me Korenë e Veriut, i parashikuar prej javësh të mbahej në Singapor.

CNN shkruan se Trump i ka dërguar një letër liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ku i thotë se është e "papërshtatshme" të mbahej samiti i planifikuar historik.

Takimi ishte planifikuar muajin e ardhshëm në atë që konsiderohej samit historik diplomatik. Sipas CNN, letra e Trump dërguar Phenianit është bërë publike sot në mëngjes nga Shtëpia e Bardhë.

"Mjerisht, duke u bazuar në zemërimin e madh dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në deklaratën tuaj më të fundit, unë mendoj se është e papërshtatshme, në këtë kohë, që të zhvillohet ky takim i planifikuar prej kohësh" shkruan Trump.

"Prandaj, ju lutem, le të shërbejë kjo letër për të paraqitur se samiti i Singaporit, për të mirën e të dyja palëve, por në dëm të botës, nuk do të ndodhë".

Trump dhe Kim ishin planifikuar të takoheshin në Singapor më 12 qershor, për atë që do të ishte takimi i parë ballë për ballë midis një udhëheqësi të SHBA dhe Koresë së Veriut.



/Ora News.tv/