Bashkimi Evropian po përgatitet të caktojë vitin 2025 si një afat përfundimtar për valën tjetër të zgjerimit, edhe pse mosmarrëveshjet brenda Ballkanit mund të vështirësojnë progresin në këtë drejtim, thuhet në një dokument të siguruar nga EUobserver.

Dokumenti do të bëjë të qartë nëse BE do të pranojë anëtarë të rinj, ndërkohë që Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se deri në vitin 2024 nuk do të ketë zgjerim të unionit.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, por janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit.

"Partnerët e Ballkanit Perëndimor tani kanë një dritare historike të mundësive. Për herë të parë, perspektiva e tyre e pranimit ka një afat kohor më të mirë", citon EUobserver një draft dokument të brendshëm nga Komisioni Evropian, që do të publikohet më 14 shkurt.

Teksti më tej thotë se "me vullnet të fortë politik, kryerja e reformave reale dhe zgjidhjet afatgjata të mosmarrëveshjeve me fqinjët, do të bëjë që Mali i Zi dhe Serbia të jenë gati për anëtarësim deri në vitin 2025".

Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova duhet gjithashtu të përparojnë mirë në rrugën e tyre evropiane, ose "negociatat e tyre ... duhet të përparojnë mirë".

Deri më tani, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar negociatat e anëtarësimit me BE. Shqipëria dhe Maqedonia shpresojnë të fillojnë bisedimet e pranimit këtë vit varësisht nga zbatimi i reformave gjyqësore në Shqipëri dhe nëse Maqedonia zgjidh mosmarrëveshjen e saj të gjatë për emrin me Greqinë.

Bosnja shpreson të fitojë statusin e kandidatit të BE, ndërsa Kosova po mendon të kërkojë zyrtarisht që t'i jepet ky status.

Megjithatë, dokumenti i komisionit paralajmëroi se "mosmarrëveshjet lokale" mund ta bëjnë të vështirë përmbushjen e afatit "ambicioz".

"BE nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe, prandaj të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin mosmarrëveshje të tilla si një çështje urgjente", tha dokumenti.

Përveç mosmarrëveshjes greko-maqedonase, një çështje tjetër e mprehtë është mosnjohja e Serbisë të pavarësisë së Kosovës.

Dokumenti tha se një "normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës në formën e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese" ishte "vendimtare" për të dyja vendet në perspektivën e tyre drejt BE.

Kosova ka përfunduar gjithashtu një marrëveshje kufizimi të kufirit me Malin e Zi, por autoritetet tani po refuzojnë të zbatojnë marrëveshjen, e cila është një parakusht për përparimin e mëtejshëm të BE.

Dokumenti propozoi që çështjet e kufirit duhet të zgjidhen nga arbitrazhi ndërkombëtar, për shembull në Hagë dhe se çdo vendim duhet të jetë "i detyrueshëm, përfundimtar" dhe "plotësisht i respektuar".

/Ora News.tv/