Shqipëria mbetet e fundit në rajon përsa i përket klimës së të bërit biznes. Raporti Doing Business 2019 e rendit vendin tonë në pozicionin e 63 duke shënuar një përmirësim me dy  shkallë në raport me një vit më parë. Problemet që konstatohen janë përkeqësim në lejet e ndërtimit si dhe mënyra e pagesës së taksave. Maqedonia renditet në vendin e 10 në raport dhe vlerësohet si vendi me tregues më pozitiv në rajon.

Edhe pse ka fituar dy pozicione përmirësim në renditje Shqipëria mbetet vendi i fundit në rajon përsa i përket klimës së të bërit biznes. Banka Botërore ka publikuar raportin Doing Business`2019 ku konstatohet se vendi ynë renditet në vendin e 63 nga 190 vende që janë marë në analizë. 

Në raport vërehet se ka përkeqësim të dhënies së lejeve të ndërtimit, sigurimi i energjisë elektrike si dhe pagesa e taksave. Shqipëria vijon kështu të jetë e parafundit në rajon, duke pasur një renditje më të mirë vetëm krahasuar me Bosnje Hercegovinën. 

Raporti nxjerr në pah gjithashtu se në indikatorët kyç në të bërit biznes, Shqipëria ka pësuar një përkeqësim në renditje edhe për, nisjen e një biznesi duke zbritur nga pozicioni i 45-të që ishim një vit më parë, në të 50-tin. Edhe Kosova pozicionohet shumë vende më lartë se Shqipëria dhe pozicionohet në vendin e 44-t, Serbia e 48-ta dhe Mali i Zi në vendin e 50-të. Ndërkohë Maqedonia është vendi më i përshtatshëm për investime në rajon, i cili shpesh herë ka tërhequr investitorë që operonin në Shqipëri. 

Doing Business e rendit Maqedoninë në vend të parë përsa i përket rajonit dhe në vend të dhjetë në botë. Raporti është pikë referimi për të ofruar një panoramë të klimës së të bërit biznes në vendet përkatëse dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj. 

Shqipëria aktualisht po pëson një ulje të ndjeshme të investimeve të huaja duke qenë se tashmë janë në përfundim një sërë projektesh të rëndësishme si TAP dhe HEC mbi Devoll. Edhe institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar që Shqipëria të shohë me kujdes mundësinë për tërheqjen e të tjera investime.

/Ora News.tv/