Mëngjesin e sotëm janë lënë të lirë protestuesit tek zona e Astirit që u shoqëruan mbrëmjen e djeshme në polici pak pasi protestuan në rrugë duke djegur goma dhe flamurin e Rilindjes.Mësohet se tre prej protestuesve do të ndiqen në gjëndje të lirë. 

Ndërkohë rreth orës 10:27 të paradites së sotme, policia njoftoi shoqërimin në komisariat të shtetasit me iniciale D.P. Sipas bluve, po kryhen veprimet e nevojshme ndaj tij dhe më pas do procedohet në gjendje të lirë.

Deputetet e PD-se Gent Strazimiri dhe Klevis Balliu, dhe Endrit Brahimllari i LSI-së  shkuan mbrëmë në komisariatin nr 6, për të kërkuar lirimin e protestuesve.

Gent Strazimiri: "Protestuan të irrituar për faktin se janë fyer në mënyrën më të turpshme dhe rrugaçërore nga ai që do duhej të ishte i pari kryeqytetas dhe jo i pari rrugaç, duke i konsideruar shpellarë. Protesta do të vazhdojë, por sigurisht do vazhdojë edhe presioni nga ana e qeverisë. Ne do të jemi këtu deri sa të drejtat e tyre të respektohen dhe të trajtohen si kryeqytetas pavarësisht nëse kanë lindur në Tiranë apo jo."

Pasditen e së martes (13 nentor), banorët dolën në rrugë duke djegur goma dhe flamurin e Rilindjes, si pasojë u bllokua edhe qarkullimi i makinave.

Prej disa ditësh banorët në Astirit po protestojnë në lidhje me dëmshpërblimet për banesat dhe bizneset që preken nga projekti i Unazës së re.



/Ora News.tv/