Do trafikonin për prostitucion në Francë 26-vjeçaren, arrestohen në Rinas

Do trafikonin për prostitucion në Francë 26-vjeçaren,

Një tentativë për shfrytëzim prostitucioni të një 26-vjeçareje është parandaluar nga policia në aeroportin e Rinasit. Tre persona u ndaluan në kuadër të operacionit të koduar “Tranzit”, nga seksioni kundër trafiqeve, komisariati i Rinasit dhe Sh.C.B.A . Mes të ndaluarve është edhe një grua me inicialet F.K 30 vjeçe, me detyrë kontrollore e policisë kufitare në aeroport.

Dy të rinjtë, një 29-vjeçar nga Elbasani i dënuar më parë për drogë, dhe një 26 vjeçar nga Librazhdi, tentuan të trafikonin drejt Francës vajzën, të cilën aty do ta priste një person tjetër, i cili është identifikuar si 33-vjeçari me inciale K.B. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga autoritetet franceze, pasi dyshohet se do të shfrytëzonte për prostitucion 26-vjeçaren. 

Kontrollorja e policisë në aeroportin e Rinasit dyshohet se kundrejt ryshfetit ka ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit deri në zonën tranzit të Rinasit për vajzën 26-vjeçare. Burime pranë policisë sqaruan se në dëshminë e saj, 26 vjeçarja ka treguar se do të ushtronte prostitucion në momentin e fundit që do të kalonte nëpërmjet Rinasit, pasi më herët të rinjtë i kishin thënë se do të punonte si kamariere.

Çështja në fjalë ka kaluar pranë prokurorisë dhe gjykatës së krimeve të rënda, pasi të arrestuarit dyshohen për veprat penale, “Trafikim i personave”,”Shfrytëzimit të prostitucionit”,“Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike".

EMISIONET