Djegia e mandateve, Balla: Sjellja e PD-LSI, tipike të një organizate terroriste

Djegia e mandateve, Balla: Sjellja e PD-LSI, tipike të një organizate

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla thotë se sjellja e PD dhe LSi për të djegur mandatet është një sjellje tipike të një organizate terroriste.

Në një reagim në facebook, Balla thotë se dorëzimi i mandateve nga opozita ndodhi pikërisht në ditën e përfundimit të aplikimeve për SPAK.

Balla: Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion (SPAK) në rrugë të mbarë, me një numër të konsiderueshëm kandidatësh (27) për të marrë këtë detyrë të rëndësishme. Politikanët e korruptuar nuk e ndalin dot më, edhe me përpjekjen e sotme.

Nuk është rastësi që akti i i sotëm anti-demokratik i Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit ndodhi pikërisht në ditën e përfundimit të aplikimeve për SPAK dhe në ditën që Kuvendi duhet të votonte strukturën e institucioneve kryesore të Drejtësisë së Re: Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLGJ) dhë Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Megjithatë Kuvendi i shqiptarëve do ta votojë në seancën më të parë javën e ardhshme.

Mandatet që PD dhe LSI paraqitën dorëheqjet nuk janë personale, as të partive respektive, por janë shprehje e vullnetit të popullit. Dorëzimi i dorëheqjeve prej shumë prej deputetëve të këtyre dy partive përbën një tradhëti për të gjithë ata qindra mijëra qytetarë që besuan tek platforma e opozitës në qershor 2017.

Kjo sjellje e paprecedentë e PD dhe LSI sot ngjason gjithmonë e më shumë me një sjellje tipike të një organizate terroriste, e gatshme për të hedhur në erë të gjithë sistemin.

Por sistemi demokratik në Shqipëri është tashmë i konsoliduar, ndërsa institucionet shqiptare janë partnere të besueshme të SHBA dhe BE.

Prej vitit 2013 Shqipëria ka përshpejtuar dhe thelluar ritmin e reformave, si dhe ka konsoliduar progresin në përmbushjen e pesë përparësive kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit, protestat e dhunshme dhe dorëzimi i mandateve nga ana e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim vetëm pak muaj larg mbledhjes së Këshillit Europian në qershor 2019, minojnë qartësisht perspektivën europiane të Shqipërisë.

EMISIONET