Në takimin me të rinjtë që kanë përfunduar praktikën e punës në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj ndau edhe një bisedë interesante që ai kishte zhvilluar dje me ish-Presidentin Alfred Moisiu, me të cilin mbollën 110 selvi në Unazën Jugore të Tiranës. “Dje isha me një zotëri, që sot është 89 vjeç, me Presidentin Alfred Moisiu. 

Gjëja më e bukur që më tha është: kur mbylla mandatin në Presidencë zbulova se kisha marrë detyrën më të rëndësishme që njeriu mund të marrë në jetë. Unë e pyeta: Cila është detyra më e rëndësishme që mund të ketë njeriu në jetë, pasi është bërë President i një vendi? Ajo e qytetarit, - m’u përgjigj, - kjo është detyra më e rëndësishme që njeriu mund të ketë në jetë. 

Pavarësisht se mund të kesh ofiqe, mund të bësh karrierë, të kesh poste të ndryshme, por të jesh qytetar është detyra më e rëndësishme, të thuash në moshën 89-vjeçare: Po, unë jam qytetar dhe detyra ime sot është shërbej qoftë edhe duke mbjellë 110 selvi. Ndaj, sikur secili prej nesh ta marrë seriozisht këtë dhe të thotë: Po, unë kam një karrierë, bëj një punë, kam një jetë personale, por mbi të gjitha kam një detyrë fisnike, atë të të qenurit qytetar dhe duhet të sillem si i tillë”, tha Veliaj.

/Ora News.tv/