Giorgio Chiellini do të jetë kapiteni i ri i Juventusit. Konfirmimi i Gianluigi Buffon për të lënë fushën e blertë pas këtij sezoni, ka "kurorëzuar" mbrojtësin 33 vjeçar si liderin e bardhezijve në të ardhmen.

Nuk është hera e parë që Chiellinit i besohet ky "post" pasi dhe në të kaluarën prej 13 vitesh në Torino, Chiellini e ka mbajtur shiritin e kapitenit. Ky lajm është pohuar nga vetë Buffon që në fjalën e tij ka theksuar:

"Nuk mund t'i jap këshilla Giorgio. Ne njihemi prej 13 vitesh. Giorgio, sipas mendimit tim, është kapiteni perfekt për Juventusin. I uroj atij më të mirën."-tha fillimisht Buffon.

Megjithatë, Buffon diskutoi dhe pasardhësin e tij tek bardhezijtë, Szczesny, i cili u soll në verën e kaluar si pasardhës i 40-vjeçarit.

"Szczesny? Ai është një djalë me të vërtetë inteligjent. Ka kaq shumë lojtarë të mëdhenj atje që e kanë bërë Juventusin atë që është dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë".-tha Buffon në konferencën e tij të fundit si futbollist.

/Ora News.tv/