Afro 100 hektarë tokë në vijën bregdetare të Vlorës është përfituar padrejtësisht, me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe veprimeve të tjera korruptive. Burimet nga Task-Forca e Policisë së Shtetit bëjnë me dije se 7 persona janë në hetim, duke përfshirë zyrtarët dhe përfituesit.

Hetimet intensive nga Task-Forca e Policisë së Shtetit, kanë nxjerrë zbuluar abuzimet me afro 100 hektarë tokë, përgjatë vijës bregedare të Vlorës.

Burimet policore thanë për Ora News se nga verifikimi i dokumentacionit, por edhe nga marrja e ankesave të qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes, ka rezultuar se këto parcela janë përfituar padrejtësisht nga persona, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim me zyrtarë lokalë.

Në total janë në hetim 7 persona, përfitues dhe zyrtarë, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe abuzim me detyrën, ndërsa dosja pritet të plotësohet me prova edhe nga prokuroria.

Nga të njëjtat burime policore rezulton se 100 hektarët në fjalë që shtrihen nga Vlora drejt Himarës, janë përfituar përgjatë 16 viteve të fundit.

Në disa raste dyshohet se këto prona janë përfituar edhe nga gjykatës apo prokurorë, apo nga familjarët e tyre.

Nga ana tjetër janë shqyrtuar edhe dokumentet e paraqitura si prova në proceset gjyqësore mes atyre që pretendojnë se janë pronarë dhe përfituesve aktualë.

(Foto: Arkiv)


/Ora News.tv/