Katër mijë infemierëve i është ulur paga 5 mijë lekë, për shkak të vlerësimit që është bërë se diploma e tyre është bachelor dhe jo master siç i njihej deri tani. Është një brez të diplomuarish që përfshin ndryshimin e sistemit i vjetër në atë të kartës së Bolonjës. Infermierët po firmosin peticion, ndërsa Ministria e Arsimit ngriti një grup pune për të zgjidhur situatën.

4000 infermierëve të diplomuar në vitet 2002-2006 u është ulur paga me rreth 5000 lekë, për shkak se janë vlerësuar nga Ministria e Arsimit se shkollimi i tyre 3 vite e gjysmë teori dhe 6 muaj praktike është i barazvlefshëm me diplomën "Bachelor" të "Sistemit Bolonjës" dhe jo me nivelin Master siç njihej deri tani.

Rregullimi i nivelit të arsimit të bluzave të bardha dhe pagat e tyre rregullohen me ligjin e arsimit të lartë i miratuar në 2015.

Por këtu qëndron problemi i infermierëve, se me pretendimin e Ministrisë, ligji ka efekte paravepruese dhe infermierët rezultojnë debitor në sistem.

Elson Jaçaj: Janë njoftuar që diploma e tyre, sistemi katër vjeçar nuk njihet më por do të njihet si diplomë bachelor dhe automatikisht paga e tyre do të jetë më e ulët. Përpos kësaj është kërkuar që çdo pagesë e bërë nga viti 2015 dhe deri më sot do t'i kthehet mbrapsht Ministrisë së Arsimit për njohjen e kësaj diplome. Sipas tyre janë debitorë ndaj shtetit. Ndaj kërkohet ose të kthehen paratë mbrapsht, ose të bëhet Masteri që kushton mbi 2 milionë lekë.

Kryetari i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj,  tha se do ti drejtohen gjykatës për këtë çështje, ndërsa infermierët po firmosin peticion ndaj Ministrisë së Arsimit.

Elson Jaçaj: Kemi bërë një peticion, ndërkohë po mblidhen firmat në rang vendi dhe këtë çështje do ta ndjekim deri në një zgjidhje të drejtë, duke mos penalizuar asnjë nga infermierët. Nëse nuk gjendet një zgjidhje sigurisht do ti drejtohemi dhe gjykatës për këtë çështje.

Ministria e Arsimit ka ngitur një grup pune për të bërë verifikimet përkatës për këtë problem të krijuar në pagat e infermierëve, ndërsa në reagimin për mediat thotë se së bashku me Universitetin e Mjekësisë jemi në diskutime për t'i dhënë një zgjidhje definitive kësaj çështje sensitive për rreth 4 mijë infermierë, që do të jetë në favor të bluzave të bardha.  


/Ora News.tv/