Diploarkiva, përpjekjet e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal 100 vite më parë

Bashkëpunimi rajonal mbetet një sfidë aktuale për Ballkanin Perëndimor.

Përpjekjet për të vendosur ura bashkëpunimi mes shteteve të Ballkanit Perëndimor sipas Fondit Arkivor Online të MEPJ-së dhe dokumenteve bashkëngjitur datojnë një shekull më parë, atëherë kur vendet e rajonit sapo kishin dalë nga Lufta e Parë Botërore, dhe Ballkani plotësoi hartën e tij politike me 6 shtete të pavarura, Shqipëria, Greqia, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (më pas u quajt Jugosllavi), Bullgaria, Rumania dhe Turqia. Në atë kohë pati përpjekje për një Lokarno Ballkanike, sipas shembullit të Paktit të Lokarnos, në 1925, që zbuti marrëdhëniet franko-gjermane.

Kjo ide artikulohet për herë të parë nga ministri i Jashtëm grek Rendis. Ai thoshte se në fillim shtetet e kënaqura nga paqja e arritur, aleate të Antantës, të lidheshin ndërmjet tyre për të garantuar paqen në Ballkan dhe më pas të ftoheshin edhe shtetet e pakënaqura nga Versaja si Bullgaria. Kjo ide do të diskutohej në shtator 1925 në takimin më të afërt të Lidhjes së Kombeve.

Në Gjenevë diplomatët shqiptarë u udhëzuan të merrnin kontakt me delegacionet ballkanike dhe të bëheshin të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetej jashtë çdo marrëveshjeje ballkanike. Megjithatë, projekti për krijimin e “Lokarnos Ballkanike” nuk u realizua pasi nuk u arrit të mënjanoheshin kontradiktat kryesore midis vendeve ballkanike dhe të vetë Fuqive të Mëdha, por ideja mbeti e gjallë dhe u rimor në vitet ’30.

EMISIONET