Vazhdon vdekja klinike e Dinamos, një prej klubeve legjendare të futbollit shqiptar. Nëndetësja historike është e braktisur totalisht nga të gjithë, madje edhe nga donadorët më të fortë, vëllezërit Nuri dhe kjo ka pasur efekt të menjëhershëm në treg.

Artan Mërgjyshi u largua nga Dinamo dhe ka firmosur me Apoloninë e Fierit. Mbase këtu kanë ndikuar ujërat e trazuar sërish në klub. Në përfundim të sezonit ekipi festoi vendin e dytë dhe kjo u pa si një figurë e mirë për rikthimin e Dinamos. Por tashmë situata ka marrë tjetër udhë. Te Dinamo më parë erdhën disa lëvizje që jepnin siguri.

Vëllezërit Nuri i dhanë shenja jete, për të rikthyer këtë emër të madh të futbollit shqiptar. Por në kampin blu është dëgjuar të thuhet se donadorët e vjetër janë tërhequr, duke lënë në mes projektin e rikthimit në identitet. Tashmë klubi është në udhëkryq. Administratorit Ismet Saliaj i duhet të gjej financues të tjerë, për të shtuar buxhetin modest të klubit.

Natyrisht, edhe presidenca duhet të shtoj interesimin e saj, ku vëmendja duhet të fokusohet te grupi që do të niset për fazën përgatitore, e nga ku më pas do të përgatitet edhe për sezonin e ri. Situata është e rënduar dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodh më tej.

Vdekja klinike e Dinamos së madhe vazhdon dhe më e keqja është se rrëzikohet të mbytet tradita e një shkolle të madhe futbolli. Apeli është i madh: Mos e lini Dinamon që të zhduket. Jemi në limitet e kohës!



/Ora News.tv/