"Poezia e meriton të pranëvendoset pranë gjendjes emocionale të njeriut në cdo moment se roli i saj është i shëndetshëm dhe hyjnor," - tha poetja e njohur, Adriatike Lami.

E ftuar në rubrikën 'Impakt shëndet' poetja Adriatike Lami foli rreth poezisë dhe ndikimin pozitiv që ka tek secili prej nesh, si një ushqim i shpirtit.

Kontaktin e parë me vargjet e ka patur nga folklori përmes leximeve që i bënte i ati dhe pikërisht kjo gjë e bëri që të futej në botën e ëndrrave për të qenë më pas një ndër poetet më të njohura në Shqipëri.

Në emisionin shëndetësor 'Diagnozë' nga Freskida Miloti, ajo u pyet se si ka ndikuar në jetën e saj.

"Poezi është frymëzim, por jo vetëm. Po e them konkretisht, të merr nga këtu dhe të zhvendos në hapësira të tjera. Të shkruash është ta shohësh botën ndryshe nga tjerët, ky është fat. Perceptimi për botën nuk është vetëm për lulet, ajrin, pemët, por në rradhë të parë për qeniet njerëzore. Poeti e zbulon dhe e sheh qenien njerëzore komplet ndryshe dhe hedhja e tyre në vargje krijon një marrëdhënie speciale mes atij që e lexon dhe atij që e ka shkruar", rrëfeu Adriatike Lami.

Për librin e saj të fundit 'Burri që më do mua', poetja tregoi se ia ka dedikuar personave që i mbushin shpirtin, bashkëshortit dhe djemve të saj.

/Ora News.tv/