Digjen dhjetëra hektarë pyje në Parkun Kombëtar Korab-Koritnik

Digjen dhjetëra hektarë pyje në Parkun Kombëtar

Temperaturat e larta të ditëve të fundit në vend kanë shkaktuar zjarret e para në pyje e kullota. Me dhjetëra hektarë pyje janë djegur në parkun kombëtar Korab-Koritnik në Kukës ku ndërhyrja ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor.Po ashtu edhe në Kolonjë raportohet se janë djegur me dhjetëra hektarë pyje e kullota.

Me dhjetëra hektarë pyje janë djegur në Parkun Kombëtar Korab-Koritnik. Mësohet se zjarri ka rënë mbrëmjen e së martës në njësinë administrative Zapod, në një nga zonat e mbrojtura.

Për të bërë të mundur shuarjen e flakëve kanë ndërhyrë efektivët e shërbimit zjarrfikës të bashkisë, agjensia kombëtare e zonave të mbrojtura dhe banorë të zonës të cilët kanë punuar për disa orë për izolimin e zjarrit.

Për shkak të terrenit mjaft të thyer malor, grupeve të punës u është dashur të ecin në këmbë për disa orë ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit ishte i vështirë.

Megjithatë pas ndërhyrjes vatrat e zjarrit u izoluan duke shpëtuar kështu nga djegia sipërfaqet e Parkut Kombëtar, i cili ka shumë vlera për rajonin e Kukësit.

Si pasojë e temperaturave të larta të ditëve të fundit në territorin e  bashkisë së Kukësit ka pasur edhe dy raste të tjera të rënies së zjarreve në pyje dhe kullota.

Bashkia Kukës ka ripërsëritur thirrjen për banorët e çdo zone që të njoftojnë në kohë për çdo rast të rënies së zjarreve.

Një tjetër zjarr është regjistruar dhe në fshatin Boshaj të Kolonjës. Flakët kanë përfshirë bimësinë e ulët si dushku dhe pisha.

Raportohet se deri më tani janë djegur rreth 15 ha pyje dhe kullota. Forca të pyjores dhe zjarrfikëses tashmë janë në vendngjarje, por terreni i thyer e vështirëson ndërhyrjen.

EMISIONET