Dhunohet mjeku i urgjencës, Manastirliu: Akt barbar, ndryshime në Kodin Penal

Dhunohet mjeku i urgjencës, Manastirliu: Akt barbar, ndryshime në

Ditën e djeshme një persona ka dhunuar mjekun roje të Urgjencës së Spitalit Infektiv.

Sipas informacioneve një pacient ka shkuar për të bërë një gjilpërë, të blerë jashtë spitalit dhe që duhet ta bënte tek ambulanca e lagjes.

Mjeku i ka thënë se duhet të presësh, pasi nuk je rast urgjent. Në këto kushte, pacienti e ka qëlluar me grusht doktorin.

Për këtë akt ka reaguar edhe Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila thotë se ky është një akt barbar, dhe si i tillë kanosja për shkak të detyrës ndaj mjekëve, të klasifikohet si vepër penale.

"Akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj kam propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.
Do të nisin një seri diskutimesh edhe për rishikimin e gabimit mjekësor dhe mënyrës se si ai trajtohet. Patjetër që do të dëgjohet zëri i profesionistëve. Por unë besoj se kjo nismë është e rëndësishme për  të garantuar respektimin e dinjitetit të mjekëve, siç ata e meritojnë", shprehet Ogerta Manastirliu.

Edhe QSUT ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj bluzave të bardha.

"Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente", thuhet në njoftimin e QSUT.

QSUT thotë se ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit dhunohen në krye të detyrës.

Po ashtu QSUT i bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autori të marrë dënimin e merituar.

"Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore", thuhet në ragimin e QSUT.

EMISIONET