Dhuna ndaj gjyqtarit Hamiti, reagon FSHF

Dhuna ndaj gjyqtarit Hamiti, reagon FSHF

Goditja e gjyqtarit të takimit Kamza-Laçi, Eldorian Hamiti nga tifozët vendas ka ngjallur reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila përmes faqes zyrtare në internet ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj Hamitit, ndërsa kërkon rikthimin e Policisë së Shtetit në shkallët e stadiumeve.

Reagimi i FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Kamza-Laçi, e vlefshme për javën e 24-të të Kategorisë Superiore. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur sigurinë e garës së futbollit në Shqipëri.

FSHF prej muajsh ka kërkuar reagimin e institucioneve të shtetit shqiptar për të zbatuar ligjin dhe për të nxjerrë përpara drejtësisë autorët e skenave të dhunës në stadiumet shqiptare. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet.

Ne dënojmë dhunën, si një fenomen qe jo vetëm cënon rëndë vërtetësinë e garës por edhe imazhin e lojës. Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpër çdo akt dhune, që vjen nga tifozët, zyrtarët, futbollistët apo kushdo tjetër. Ne presim që të gjithë aktorët të bëjnë punën e tyre ashtu siç i kërkojmë komisioneve që të jenë ekstremisht të ashpër me ata që prishin imazhin, jo vetëm të lojës por edhe të futbollit shqiptar.

Ne kërkojmë në mënyrë të përsëritur të rishikohet vendimi nxituar për të larguar përfundimisht Policinë nga stadiumet. Në kushtet ku Shqipëria ndodhet e gjykojmë të pavend. Ky vendim i nxituar cënon rëndë mbarëvajtjen e garës më të ndjekur sportive në Shqipëri.

EMISIONET