Dhuna ndaj arbitrit, FSHF: Zero tolerancë, të vihen para përgjegjësisë autorët

Dhuna ndaj arbitrit, FSHF: Zero tolerancë, të vihen para

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas dhunës së ushtruar mbrëmjen e së shtunës ndaj arbitrit dhe zyrtarit të ndeshjes në përfundim të takimit Flamurtari-Vllaznia.

FSHF e ka dënuar dhunën ndaj zyrtarëve në Vlorë si një akt të dhunshëm dhe i ka bërë apel policisë e Prokurorisë që të hetojnë ngjarjen si edhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët.

Federata e Futbollit, duke vënë në dukje se dhuna ndaj asistentit të parë të arbitrit dhe vëzhguesit të ndeshjes në stadiumin 'Flamurtari' ka ndodhur para forcave të policisë që nuk e kanë arritur ta parandalojnë, shprehet se kjo ngjarje ka tronditur mbarë opinionin sportiv.

Po kështu, thotë se organizatori i ndeshjes, klubi i futbollit Flamurtari, mban përgjegjësi direkte për mosmarrjen e masave për organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, dhe aq më shumë për ti mbrojtur miqtë në shtëpinë e tyre.


Deklarata e plotë: 

ZERO TOLERANCË PËR DHUNËN KARSHI ZYRTARËVE NË VLORË! POLICIA DHE PROKURORIA TË VËNË PARA PËRGJEGJËSISË AUTORËT!

Dhuna e ushtruar të shtunën në mbremje mbi arbitrin dhe zyrtarin e ndeshjes në përfundim të takimit Flamurtari-Vllaznia, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës ka tronditur mbarë opinionin sportiv si një akt shumë i shëmtuar dhe i dënureshëm.

Ky agresion fizik karshi asistentit të parë të arbitrit, dhe më pas edhe ndaj vëzhguesit të ndeshjes, ka ndodhur në prani të forcave të policisë në stadium, por duke mos e parandalur atë. Ky rast është denoncuar zyrtarisht edhe pranë autoriteteve ligjzbatuese në Vlorë.

FSHF i bën apel Policisë së Shtetit, për të zbardhur të plotë një incident të tillë, ku pas dëshmisë dhe denoncimit të arbitrit të dhunuar përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore të veprojë menjëherë në bazë dhe zbatim të ligjit, për të cuar përpara drejtësisë agresorët që zbritën dhe goditën arbitrat dhe zyrtarët e ndeshjes.

Po kështu, organizatori i ndeshjes, klubi i futbollit Flamurtari mban përgjegjësi direkte për mosmarrjen e masave për organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, dhe aq më shumë për ti mbrojtur miqtë në shtëpinë e tyre.

FSHF dënon me shumë forcë dhunën verbale tashmë të shndërruar në dhunë fizike.

Goditja karshi zyrtarëve të ndeshjes mbetet një akt tërësisht antisportiv dhe si i tillë do të ketë zero tolerancë nga ana e Drejtësisë Sportive. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të cojnë deri në fund zbardhjen e këtij agresioni të shëmtuar dhe të vënë përpara përgjegjësisë penale autorët e tij.

EMISIONET