Aksioni anti-informalitet duket se nuk po jep rezultatet e duhura . Dhoma Amerikane e Tregtisë ngre shqetësimin se vijojnë të bëhen abuzime me pagesën e taksave nga disa subjekte gjë që po godet konkurrencën.

Alketa Uruçi: Disa anëtarë të Dhomës kanë evidentuar që disa konkurrentë të tyre vazhdojnë të sillen informalë në treg, pra nuk lëshojnë kuponë tatimorë. Nuk deklarojnë të ardhurat në tatime duke qenë se operojnë me individë që nuk janë të interesuar të marrin faturën tatimore dhe kjo prish konkurrencën e ndershme në treg. 

Edhe pse ishin shprehur të kënaqur për disa kohë duket se rimbursimi i TVSH ka shfaqur sërish problem përderisa Dhoma Amerikane i është rikthyer sërish këtij problemi.

Uruçi: Çështja e dytë që anëtarët kanë ngritur ka lidhje me transparencën në procedurën e rimbursimit të TVSH-së dhe kjo lidhet me faktin që rimbursimi duhet të bëhet sipas afateve kohore kur është bërë kërkesa për rimbursim. 

Shqetësimi është pranuar edhe nga drejtoria e doganave  e cila tha se numri i madh I bizneseve që presin rimbursim ka krijuar ngarkesë në sistem.

Vasilika Vjero: Ne kemi ende vonesa për të kryer këto rimbursime. Por duhet të themi se ka një përmirësim të dukshëm dhe është një proces që duhet të rimbursohet nga viti në vit.

Rimbursimi i TVSH-së në kohë ka qenë një shqetësim  i hershëm i biznesit në Shqipëri pavarësisht të gjitha premtimeve të bëra nga qeveria për zbatim korrekt të ligjit në lidhje me këtë çështje.

/Ora News.tv/