Devolli "sinjal" Partizanit: Kemi bërë një plan për t'i ndalur

Edhe pse ndodhet në pozita aspak komode në klasifikim, tekniku i Kastriotit, Bledar Devolli shprehet i bindur se skuadra që ai drejton do të arrijë të marrë rezultate pozitive, duke nisur që nga ajo e nesërmja ndaj Partizanit. Në konferencën për shtyp para duelit me të kuqtë, Devolli u shpreh se ka një plan për të goditur skuadrën kryesuese të Superligës.

"Besoj se nuk ka ndikuar fare. Nuk jemi qaraman, duke nisur që nga unë i pari dhe më pas skuadra. Nuk e kthejmë kokën pas për një ndeshje. Humbja me Skënderbeun i takon të kaluarës. Këtë javë kemi punuar mirë dhe është mbyllur ajo histori. Do të vazhdojmë siç kemi punuar sepse kemi përpara një ndeshje shumë të vështirë. Motoja është që të përmirësojmë gabimet. Megjithatë, përveç Çelës që është një futbollist me eksperiencë, të gjithë të tjerët luajnë sezonin e parë ose të dytë në Superligë. Nuk duhet të qajmë humbjet e ndeshjes së kaluar. Deri te goli i dytë kemi qënë në lojë. E mbajtëm ekipin e Korçës në gjysëmfushën e saj. Kemi një kundërshtar që kryeson me meritë. Ka një ekip shumë të mirë dhe të organizuar. "

"Duhet ta godasim aty ku Partizani ka pikën më të fortë. Me pak fat shpresojmë që ta kalojmë me sukses këtë ndeshje të vështirë. Këtë javë kemi punuar mirë. Kemi bërë një plan. Do jemi agresiv që nga minuta e parë. Të shënojmë që në fillim dhe më pas do të jetë çdo gjë e rëndësishme. Stadiumin shpresojmë ta kemi plot dhe tifozët të na japin një dorë. Luajmë në fushën tonë dhe kjo shpresoj që do të na ndihmojë për të kaluar edhe këtë duel mjaft të vështirë."-përfundoi Devolli.

Kastrioti pret të shtunën e 20 prillit, Partizanin në "Redi Maloku". Takimi do të nis në orën 16:00.  


EMISIONET