Detaje/ Viktimave në Elbasan iu ngrit pritë pas darkës në restorant me gra dhe fëmijë

Detaje/ Viktimave në Elbasan iu ngrit pritë pas darkës në

Tre persona u ekzekutuan në një atentat mafioz në zonën e Bradasheshit në Elbasan rreth orës 21.15 të së shtunës.

Viktimat sipas policisë, janë dy shtetasit shqiptarë Arben Dylgjeri, 56-vjeç dhe nipi i tij Endri Alibej, 34 vjeç si dhe shtetasi turk Erdal Dyranay, 51 vjeç.

Personat e vrarë ishin duke udhëtuar me një makinë fuoristradë me targa rumune AG 71 ËYP në momentin kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi duke i lënë të vdekur në vend.

Vrasja e trefishtë dyshohet se ka ndodhur pak minuta pasi tre viktimat dhe familjarët e tyre kishin dalë nga një restorant që kishin darkuar në një restorant në zonën e Peqinit. Makina e viktimave ka qenë në ecje në momentin e sulmit dhe pas humbjes së jetës së drejtuesit, ka dalë nga rruga duke u përplasur me një objekt. Ndërkaq, familjarët e viktimave, 5 gra dhe tre fëmijë nuk kanë pësuar dëmtime pasi ndodheshin pas fuoristradës me targa rumune që ishte objekt i sulmit.

Policia e Elbasanit ka shoqëruar të paktën 30 persona në lidhje me ngjarjen ndërsa në vendin e atentatit ka qëndruar për disa orë mbrëmjen e të shtunës edhe vetë kreu i policisë Ardi Veliu dhe specialistë të hetimit nga Tirana.

Sipas të dhënave të deritanishme autorët e atentatit mendohet se kanë qenë me një automjet tjetër dhe kanë ecur paralel me makinën e viktimave e cila është bërë shoshë nga plumbat në pjesën anësore të saj nga krahu i shoferit.

pistat e para të ngritura nga policia janë për një vrasje për shkak të trafikut të drogës pasi njëri prej viktimave, shtetasi Endri Alibej është arrestuar në Itali në dhjetor të vitit 2013 me 2.5 kilogramë kokainë. në operacionin e arrestimit të Elibejt, i cili në atë kohë u zhvillua në disa qytete të Italisë, morën pjesë më shumë se 300 policë. ndërkaq për shtetasin turk ende nuk ka shumë të dhëna veç faktit se është i afërm i gruas së njërit prej dy viktimave të tjera. 

Shtetasi Arben Dylgjeri mësohet se është banues në Elbasan dhe së bashku me nipin e tij Endri Alibej dhe shtetasin turk mendohet se kanë qenë duke u kthyer nga zona e Peqinit në momentin kur ranë pre e atentatit të organizuar ndaj tyre. Dy prej viktimave, shtetasi turk dhe 34-vjeçari shqiptar mësohet se kanë mbërritur në Shqipëri ditët e fundit për festat e fundvitit.

EMISIONET