Dëshmitari Albert Veliu i cili sot u bë i njohur nga Partia Demokratike si bashkëbiseduesi në audio përgjimin me Agron Xhafajn është një person i njohur për policinë.

Në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, konkretisht në datën 16 gusht 2013 është publikuar njoftimi i ekstradimit të Albert Veliut nga Italia në vendin tonë.  Në atë kohë Albert Veliu u akuzua për trafikun e mjeteve motorike.

Sot pas 5 vitesh, Veliu ka dalë publikisht, në një video të publikuar nga Partia Demokratike, ku ai tregon të gjithë historinë e tij dhe lidhjet me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

51-vjeçari thotë se ka vuajtur dënimin prej 7 vitesh burg në Peskara të Italisë.

Njoftimi i policisë, 16 gusht 2013: Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datën 14.08.2013, kreu ekstradimin nga Roma/Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Albert Eqerem Veliu, vjeç 46, lindur në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 143, datë 05.05.2008, e ka dënuar me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, parashikuar nga neni 141/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.01.2006 policia rrugore ka bllokuar mjetin tip Volskëagen Golf, me targa JD15805. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi Albert Veliu, duke falsifikuar lejen e qarkullimit të automjetit të mësipërm, e ka futur atë në Shqipëri dhe ia ka shitur shtetasit Erion H.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ky shtetas është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

/Ora News.tv/