Përfaqësuesit e Parlamentit të Serbisë, gjatë një takimi me përfaqësuesit e vendeve të rajonit në Kuvendin e Maqedonisë, kërkuan heqjen e flamurit të Kosovës nga platforma ku qëndronin flamujt e shteteve anëtare të BE-së si dhe vendeve të Ballkanit.

Deputetja Blerta Deliu ka reaguar duke adresuar kritika, ndërsa krejt në fund u vendos që të largohen gjithë flamujt

Kishte reagim nga delegacioni i Serbisë deri te sekretariati i konferencës në lidhje me flamurin e Republikës së Kosovës i cili po ashtu ishte vendosur këtu pas çka sekretariati i largoi të gjithë flamujt të të gjithë vendeve pjesëmarrëse në konferencë dhe në këtë mënyrë u zgjidh kjo situatë sipas kërkesës së tyre. Sipas gjykimit tim kjo është e palogjikshme duke marrë parasysh atë që tha edhe z. Vajgëll në konferencë se një ditë edhe Serbia por edhe Kosova do të bëhen vende anëtare të BE-së – deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së. 

Delegacioni i Komisionit për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, dje mori pjesë në Konferencën e 13-të të komisioneve për integrime/çështje evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore – COSAP, që u mbajt në Shkup.

Delegacioni i Kosovës përbëhej nga deputetët Blerta Deliu Kodra, kryetare e Komisionit, Armend Zemaj, zëvendëskryetar i Komisionit, dhe Fikrim Damka – zëvendëskryetar i Komisionit, ndër të tjerë, dje pati takim edhe me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes.

/Ora News.tv/