Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit akuzon Ministrinë e Kulturës se ka nxjerrë urdhrin për zbrazjen e godinës së Teatrit Kombëtar për ti hapur rrugë shembjes së teatrit. Të pyetur për këtë denoncim, burime zyrtare nga Ministria e Kulturës shprehen se një urdhër i tillë nuk ekziston. Pas informacioneve për zhvendosjen e materialeve, artistë, regjisorë dhe aktivistë janë mbledhur paraditen e të enjtes për të protestuar kundër këtij akti.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit njoftoi se Ministria e Kulturës ka nxjerrë urdhrin për të zbrazur godinën e Teatrit Kombëtar për ti hapur rrugë shembjes së godinës.

Me anë të një reagimi në faqen zyrtare, aleanca ka publikuar disa pamje ku shfaqen një grup punëtorësh duke nxjerrë materialet nga brenda godinës.

Të pyetur për këtë denoncim burime nga Ministria e Kulturës pohojnë se nuk ka një urdhër për nisjen e zhvendosjes së materialeve.

Aktorët dhe regjisorët ndërkohë janë mbledhur para teatrit për të protestuar për këtë akt.

Regjisori, Kastriot Çipi, tha për RTV Ora se ky veprim po kryhet pa u miratuar kontrata dhe shpallur kompania fituese.

Çipi: Arsyeja pse ne jemi të shqetësuar është se këto veprime po kryhen ende pa filluar procedurat në zbatim të ligjit special për teatrin që do të thotë pa u shpallur gara, pa u bërë konkursi për zhvillimin urban të zonës dhe  natyrisht pa u miratuar kompania fuituese që do të kalojë pastaj me miratimin e  kontratës nga parlamenti. Të gjitha këto procedura zgjasin të paktën 3 muaj.

Regjisori Çipi shprehet gjithashtu se së bashku me aktorët e tjerë do e monitorojnë 24 orë godinën e teatrit për të mos lejuar shembjen e saj.

Çipi: Po diskutojmë me kolegët e aleancës dhe po kërkojmë ndihmë nga qytetarët dhe bizneset që të organizojmë një monitorim 24 orë edhe me kamera në perimentrin e teatrit që të paktën zjarrvënësit të mos kenë guxim ti afrohen teatrit gjatë muajve të verës.

Aktorë, regjisorë, dhe aktivistë të shumtë prej më shumë se një viti protestojnë çdo ditë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, duke kërkuar që të rikonstruktohet godina aktuale.

/Ora News.tv/