Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat denoncoi vjedhjen e votës në Bashkinë e Durrësit.

Vasili tha se në kutitë e votimit në Durrës gjenden mijëra vota më shumë, në raport me votuesit të raportuar se kanë votuar.

Vasili: Duhet të dini që mijëra vota në të tërë Shqipërinë, janë thjesht produkt i mbushjes së paligjshme dhe kriminale të kutive të votimit dhe jo të vullnetit të shqiptarëve. Megjithëse kanë administruar vetë, kanë numëruar vetë, kanë nxjerrë rezultate vetë, pra gjithçka ka qenë në duart e tyre, nuk kanë mundur dot të fshehin krimin elektoral që është evident dhe shumë i qartë. Megjithatë shifrat flasin vetë. Në Bashkinë e Durrësit nga numërimi i votave po nga këta individë dhe nga rezultati i bërë publik po nga këta individë, në raport me votuesit të raportuar që kanë votuar, në kutitë e votimit gjenden mijëra vota më shumë. Praktikisht nga 35.062 votues në Bashkinë e Durrësit, rezultojnë që vota në kuti janë 37.552. Pra 2500 vota më shumë, të cilat janë hedhur nga duart e zeza në kutitë e votimit për të realizuar planin nacional-socialist të votimeve, ku ka rëndësi vetëm për të shkuar e për të votuar, se votat i shtojmë, i numërojmë dhe i bëjmë si të duam. E njëjta gjë ka ndodhur në Bashkinë e Shkodrës, ku edhe në këtë bashki, raportuar votues kanë qenë sipas KQZ socialiste 15.913 votues dhe ende pa mbaruar mbi 20 e ca kuti votimi ishin mbi 1000 votues, fletë votimi në kuti.

Sipas Vasilit këto mijëra vota janë prova se pushteti dhe kryeministri ka marrë fund dhe se shqiptarët nuk do sakrifikojnë jetën e tyre për një të vdekur politik

Vasili: Këto mijëra vota, dhjetëra mijëra vota në të gjithë Shqipërinë dhe ky refuzim i jashtëzakonshëm si akti më i lartë qytetar njëherazi dhe politik është prova e një pushteti që ka marrë fund, të një kryeministri që ka marrë fund dhe një provë që Shqiptarët nuk do sakrifikojnë veten e tyre për një të vdekur që ecën, i cili thjesht dhe vetëm po shtyn funeralin e tij politik i cili është i pashmangshëm. Fati i mbi 85% të Shqiptarëve kurrë nuk do të sakrifikohet për asnjë arsye, për fatin personal të Edi Ramës dhe të familjes së tij.

/Ora News.tv/