Më shumë se gjysma e bizneseve që janë kontrolluar në vend kanë rezultuar me shkelje. Ministrja Anila Denaj ka dhënë detaje në lidhje me aksionin antiinformalitet që duket se ka nisur të japë rezultatet e para në mbledhjen e të ardhurave që janë rritur me 4.7%.Ministrja deklaroi se tashmë në fokus do të jenë kontrollet për sigurinë dhe deklarimin e punonjësve.

Dy muaj pas aksionit antiinformalitet  gjysma e bizneseve të kontrolluara ka rezultuar me shkelje. Ministrja e Financave Anila Denaj ka deklaruar se për të parandaluar abuzimet parashikohet të bëhet një  përshkallëzim i masave  për të penalizuar abuzuesit të cilat do të jenë gati në 15 shtator. Ndërkohë që kanë nisur të ndjehen efektet e para duke rritur të ardhurat me 4.7% vetëm gjatë muajit gusht ose 1.6 mld më shumë

Denaj: Të dhënat e Planeve Operacionale do t’ju prezantohen në detaje nga Drejtorët e Përgjithshëm. Më lejoni të evidentoj dy rezultate të përgjithshme. Së pari, gjatë kontrolleve në terren ka rezultuar se 40-47% e subjekteve që janë inspektuar janë konstatuar me shkelje. Mendojmë se tendenca e identifikimit të shkeljeve është pozitive, por jo e mjaftueshme. Gjithashtu, masat administrative dhe ato penalizuese nuk realizojnë synimin parandalues, ndaj jemi duke punuar për të finalizuar ndryshimet në paketën ligjore.

Denaj bëri me dije se tashmë  në fokus do të jenë kontrollet për të parandaluar aksidentet në punë

Denaj: Synojmë të ristrukturojmë organizimin e punës dhe cilësinë e inspektimeve për të ulur riskun e aksidenteve në sektorë të veçantë, kryesisht ndërtimin apo miniera, por edhe të luftohet informaliteti në marrëdhëniet financiare me punonjësit.

Për periudhën 8 mujore, të ardhurat u rritën rreth 3,8 % krahasuar me një vit më pare ose rreth  9.7 miliard lek më shumë se viti i kaluar.

/Ora News.tv/