Ish të dënuarit politikë protestuan të enjten para ministrisë së Drejtësisë ku paralajmëruan se do të fillojnë grevën e urisë për shkak se nuk kanë marrë dëmshpërblimet për dënimet dhe burgosjet e padrejta gjatë regjimit komunist.

Ish- të përndjekurit pretenduan se qeveria nuk iu ka dhënë dëmshpërblimet që iu takojnë me ligj dhe për këtë arësye, deklaruan se janë gati për të nisur grevën nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen.

Protestuesi: Nuk e vë ujin në zjarr asnjë, të gjithë këta janë këlyshët e komunistëve në fuqi. Kemi bërë grevën në 2016, ku u flijua vëllai jonë Lirak Bejko, u dogj në zjarr. Mua më dënoi komunizmi 15 dhe bëra 5 vjet burg. Nga këto asnjë këst, asnjë qindarkë nuk kam marrë. Nuk është puna e lekut, por puna e të drejtës. Ne do të bëhemi gati për një grevë urie si në 2012. Presim këtu, nuk del me na pritë.

Pas protestës erdhi dhe reagimi i ministrisë së Drejtësisë. Drejtuesja e këtij dikasteri Etilda Gjonaj  priti sot në një takim përfaqësues të një grupi ish të dënuarish politik të regjimit komunist, pas kërkesës së tyre për të marrë informacion lidhur me dosjet e tyre për dëmshpërblim.

Gjatë takimit, dhe pas ballafaqimit me strukturat përgjegjëse në Ministri, dolën në pah disa problematika dhe vonesa lidhur me trajtimin e mëparshëm disavjeçar të dosjeve të ish të dënuarve.   

Sipas njoftimit zyrtar Ministrja Gjonaj mori përsipër ngritjen e një praktike të re pune në Ministrinë e Drejtësisë, që do të ketë në fokus rishikimin e të gjitha kërkesave për dëmshpërblim që janë ende në shqyrtim në Ministrinë e Drejtësisë. Në këtë kuadër, Ministrja u premtoi ish të dënuarve transparencë të plotë dhe përgjigje në afate të shkurtra lidhur me statusin e dosjeve të tyre.

Ministrja e Drejtësisë u anagazhua personalisht për trajtimin me objektivitet dhe paanësi të të gjitha kërkesave për shqyrtim.


/Ora News.tv/