Demokracia, Raporti i FH: Kosova shënon pak përparime

Demokracia, Raporti i FH: Kosova shënon pak përparime

Kosova ka shënuar pak përparim në raportin e fundit të Freedom House për “Vendet në Tranzicion”, që mat ecurinë dhe pengesat drejt demokratizimit të shteteve. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7, ku 1 është niveli më i lartë për përparimin demokratik, Kosova ka marrë notën 4.93, një përmirësim i papërfillshëm krahasuar me një vit më parë. 

Sipas përfundimeve të këtij raporti, niveli i lartë i korrupsionit vijon të jetë një nga problemet më të mëdha në Kosovë, së bashku me sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe qeverisjen demokratike.

Sa i përket rajonit, edhe shtetet e tjera si Serbia dhe Mali i Zi renditen në kategorinë e vendeve me demokraci gjysmë të konsoliduar. Raporti përmend presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe atë malazez Milo Gjukanoviç për të cilët thotë se kanë kapur shtetet përkatëse, duke i kthyer në mekanizma për forcimin e partive të tyre në pushtet. Freedom House vlerëson se përtej përmirësimit të demokracisë në Ballkan përgjatë viteve 2005-2010, rajoni tashmë gjendet në regres.

Përjashtim nga ky trend bën vetëm Maqedonia, pas ndryshimit premtues të Qeverisë, siç thuhet në raport. Freedom House shkruan se Maqedonia ka shansin më premtues dhe më të madh për depërtim demokratik në Europë, pavarësisht sipërfaqes së vogël të vendit.


EMISIONET