Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora tha se botimi ose jo në fletoren zyrtare të dekretit të presidentit Ilir Meta, për zgjedhjet e 13 tetorit nuk ka asnjë lloj rëndësie juridike.

Sipas Vasilit dekreti i presidentit merr fuqi menjëherë dhe më pas njoftohet KQZ që merret me administrimin e zgjedhjeve.

Gazetarja: Ka kaluar gati një muaj nga ky dekret i presidentit për zgjedhjet e 13 tetorit dhe ende nuk është botuar në fletoren zyrtare. Pengon?

Vasili: Nuk ka asnjë rëndësi, asnjë lloj rëndësie nga ana juridike.

Gazetarja: Çdo dekret i presidentit është detyrë ligjore të botohet.

Vasili: Nuk ka rëndësi. Dekreti i presidentit merr fuqi menjëherë. I njoftohet organit përkatës që është KQZ, që është i ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve dhe vazhdon veprimi i menjëhershëm. Ky është rregulli. Fletorja zyrtare ka një ritmicitet të caktuar. Pra botohet një herë në kaq kohë. Të gjitha dekretet botohen në fletoren zyrtare dhe nuk ka asnjë rëndësi koha e botimit. Futja në fuqi e dekretit është e menjëhershme. Presidenti vendos sot, po atë ditë dekreti i përcillet KQZ-së që përcakton rrugën, planin që përcakton se si do veprohet në përputhje me datën e re të zgjedhjeve. Këta njerëz kanë marrë përsipër të bëjnë një atentat kushtetues, të vetësakrifikohen në emër të rilindjes, të rrëzojnë shtetin, pasi praktikisht sot kushtetuta dhe ligji kanë rënë.  Nuk ekzistojnë më, pasi dekretet asnjëherë nuk kanë ekzistuar në periudhën e Shqipërisë pluraliste, nuk i referohem monizmit, sepse nuk kemi ç’referime të kemi.

/Ora News.tv/