Artistë, regjisorë dhe publicistë e mendojnë të papranueshëm vendimin që ka marrë mazhoranca në Kuvend për të ngritur një Teatër të ri Kombëtar. Regjisori, Kastriot Çipi, ka zbardhur një bisedë që ata kanë bërë me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, i cili ka thënë se do ta ndjekin situatën hap pas hapi. Autori, Ardian Vehbiu, e cilësoi të papranueshëm vendimin e PS-së në Kuvend.

Komisioni Evropian nuk do të mbajë një qëndrim të prerë për çështjen e teatrit, por do ta monitorojë atë hap pas hapi.

Kjo ka qenë përgjigja e Ambasadorit të BE-së në Tiranë, sipas regjisorit Kastriot Çipi, i cili tha se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kishte patur një bisedë me ambasadorin Luigi Soreca.  

Kastriot Çipi: Ajo që përceptuam ne nga ky takim është se zoti Soreca, Komisioni Europian do të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të distancuar nga kjo çështje. E sigurova se ditën që do të vinë fadromat në Teatër brenda  do të ketë njerëz, jashtë do të ketë njerëz që do të përleshen me policinë dhe atëherë do të doja të dija sesi do të reagonte zoti Soreca në një situatë të tillë.Ai u shpreh se "ne do ta monitorojmë situatën hap pas hapi".

I ftuar special në diskutimin për çështjen e teatrit, autori dhe publicisti i njohur, Ardian Vehbiu, u shpreh i zhgënjyer me vendimin e mazhorancës për t’i hapur rrugë ndërtimit të një godine të re për Teatrin Kombëtar.

Ardian Vehbiu: Këtu bëhet fjalë për një gjë vërtet shumë të rëndësishme që ka të bëjë me identitetin kulturor. Kjo është e papranueshme për mua. Institucionet kulturore të pavarura ose kujdestarët e trashëgimisë kulturore që nuk kanë lidhje me atë votën numerike në parlament, kush ka më shumë vota kjo palë apo kjo palë tjetër.

Vehbiu shtoi se nuk u duhet dhënë vend të huajve që nuk kanë kapacitet të ndikojnë në çështje të tilla me rëndësi për qytetarët shqiptarë.



/Ora News.tv/