Dëbimi i 6 shtetasve turq, Komisioni Hetimor gjen 31 shkelje kushtetuese dhe ligjore

Dëbimi i 6 shtetasve turq, Komisioni Hetimor gjen 31 shkelje kushtetuese

Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës, për rastin e dëbimit të shtetasve turq, ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e dëbimit të shtetasve turq, Xhelal Sfeqla, ka theksuar se shkeljen më të madhe e kanë bërë dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë.

“Më 29 mars të vitit 2018, dy agjencitë kryesore për siguri në vend, me urdhrin e eprorit të tyre, bënë shkeljen më të madhe të sovranitetit të vendit tonë, nga vetë ata që duhet në mënyrë aktive ta mbrojnë, do të thotë AKI (Agjencia e Kosovës për Inteligjencë) dhe Policia e Kosovës”, ka thënë Sfeqla.

Sipas tij, në këtë rast, janë bërë shkelje të njëpasnjëshme të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por edhe të konventave ndërkombëtare. Këto dy institucione të sigurisë, ka thënë Sfeqla, kanë arrestuar 6 shtetas turq, me qëndrim të ligjshëm në Kosovë, dhe i dorëzuan ata në duart e një Shërbimi të Jashtëm, duke kryer ekstradim të jashtëligjshëm të tyre.

Ai ka shtuar se Komisioni ka gjetur shkelje në secilën fazë, që nga revokimi i lejeve të qëndrimit për 6 shtetasit turq e deri te largimi i tyre nga Kosova.

Nënkryetari i këtij Komisioni Parlamentar, Driton Selmanaj, ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme, raporti i këtij komisioni do t’i dorëzohet Prokurorisë së Shtetit.

“Ne nisemi nga një parim, pra, që kushdo që ka informata për ekzistimin e një vepre penale dhe nuk e denoncon veprën penale, atëherë ai është bashkëpjesëmarrës në veprën penale ose ka kryer vepër penale”, theksoi Selmanaj.

Dëbimi nga Kosova i 6 shtetasve turq kishte nxitur reagime të ashpra në Kosovë, përfshirë edhe reagimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Tre muaj pas ngjarjes, më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq./REL/

EMISIONET