Debati televiziv, Johnson-Hunt fokusohen te Brexit

Debati televiziv, Johnson-Hunt fokusohen te Brexit

Vetëm pak ditë nga shpallja e rezultatit, dy kandidatët për kreun e qeverisë dhe Partisë Konservatore britanike janë ndeshur për herë të dytë në një debat televiziv. Skenari i daljes nga BE pa marrëveshje duket tashmë më i mundshëm për Boris Xhonson dhe Xheremi Hant.

Dy kandidatët për kryeministër të Britanisë së Madhe kanë ashpërsuar qëndrimet rreth shkëputjes nga Bashkimi Europian.

Në debatin që u mbajt të hënën, më pak se një javë nga shpallja e fituesit, rivalët Boris Xhonson dhe Xheremi Hant u fokusuan te problemi i zonës kufitare mes Irlandës dhe provincës angleze të Irlandës Veriore.

BE ka theksuar më parë se britanikët duhet të veprojnë përkohësisht sipas kuadrit ligjor europian për aq kohë sa do të mungojë një marrëveshje tregtare mes palëve.

Por ish-kryediplomati i vendit, Xhonson, tha se në këtë mënyrë komprotohet pavarësia e Britanisë së Madhe nga partnerët europianë.

"Ky është një problem thelbësor, është një instrument që na mban të burgosur brenda një tregu dhe unioni doganor, ndaj edhe nevojitet të hiqet patjetër," theksoi Xhonson.

Të njëjtin mendim ndau edhe kundërshtari i tij, Hant, duke shtuar se kufiri provizor mes dy Irlandave është një çështje e mbyllur.

Dy kandidatët që aspirojnë karrigen e kryeministres, Tereza Mej, u shprehën besimplotë për arritjen e një kompromisi të ri për Brexit përpara limitit kohor të 31 tetorit 2019.

Fati i tyre në kryeministri do të caktohet më 23 korrik, kur 160 mijë anëtarët e Partisë Konservatore do të zgjedhin drejtuesin partik për dekadën e ardhshme.

EMISIONET