Debati për LGBT në shkolla, nxënësit: Diskutuam mbi homofobinë dhe dhunën

Debati për LGBT në shkolla, nxënësit: Diskutuam mbi

Gjimnazisët që morën pjesë ne orën e hapur me komunitetin LGBT, thanë se kanë njohur historikun e tyre përmes një dokumentari dhe se kanë marrë pjesë në diskutimet ndaj homofobisë. Për debatin publik tashmë të nxehtë, nxënësit mendojnë se orë të tilla duhet të zhvillohen në shkolla dhe kjo nuk është as nxitje dhe as model për orientimin seksual, por një përpjekje për të kuptuar këtë komunitet. 

Shkolla "Petro Nini Luarasi" është një ndër gjimnazet ku u zhvillua ora e hapur për komunitetin LGBT dhe elementët e dhunës dhe homofobisë, çështje e cila tashmë ka ndezur një debat publik.

Juna, Vjosi, Odri kanë qenë pjesë e orës së hapur mësimore të zhvilluar në këtë gjimnaz në 5 dhjetor të 2017.

Ata thonë se nuk ka asnjë arsye të ketë një debat të tillë për shkollat, por diskutimi publik duhet të jetë tek pranimi i këtij komuniteti tek familjet ose shoqëria.

Vjosi Ferzaj: "Dokumentari përmbante njëfarë shpjegimi sesi secili prej tyre e kishte përballuar të qenurit të tyre si anëtar i këtij komuniteti, si ata ishin pranuar nga familja, diskriminimet që kanë pasur, dhuna e ushtruar në institucione të ndryshme arsimore. Aktivitetin nuk e pashë si reklamë, thjesht si një kërkesë e tyre për të drejtën që të mos diskriminohen nga shoqëria".

"Personalisht i kam pranuar gjithmonë por e shoh tek pjesa e popullsisë shqiptare që në masë janë shumë po shumë të diskriminuar kjo pjesë e komunitetit".

Por a ndikojnë orë të tilla të hapura në devijimin apo në normat e prirjeve seksuale, sikundër është ngritur ky shqetësim publik?

"Miti që shoqëria shqiptare ndjek duke thënë se nëse ti qëndron pranë këtyre individëve bëhesh si ata është komplet e pavërtetë. Mendoj se popullësia duhet të dalë nga kjo 'shpellë' sepse jo vetëm që po bën disa individë të ndjehen keq por po ndalon një komunitet të tërë të jetojnë të lirë ashtu siç jetojmë ne".

Vjosi Ferzaj: "Nuk kanë si të ndikojnë sepse nuk është diçka që lindi sot dhe ata duan të përhapet. Ka lindur para shumë vitesh dhe sot disa njerëz e shikojnë si diçka të re që po merr përmasa të mëdha kur faktikisht ata janë një komunitet shumë i vogël që thjesht po shtypen nga ne të tjerët".

Tema të tilla që lidhen me dhunën, apo homofobinë janë pjesë orientimeve për orë të hapura të shkollave në bashkëpunim me DAR, ku gjimnazistët marrin pjesë direkt në këtë diskutim.

Në reagimet kundër është konsideruar si një precedencë e rrezikshme, ndërsa vetë komuniteti në reagimet në rrjetet sociale dhe në media e quan këtë një tjetër hap homofobie për të pranuar tjetrin që ka orientim të ndryshëm seksual.

EMISIONET