Rënia e euros përballë lekut shqiptar në një nivel rekord prej 124.8 lekësh është ngritur si shqetësim në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sipas opozitës, shtimi i euros në treg ka ardhur si rezultat i drogës dhe qeveria nduhet të ndërhyjë për stabilizuar situatën në mënyrë që efektet në ekonomi të jenë të vogla.Kreu i Komisionit të Ekonomisë u shpreh se do të thërrasë në raportim Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa Anastas Angjeli rekomandoi Bankën që të analizojë efektet.

Monedha europiane vijon që të dobësohet përballë lekut shqiptar. Në kursin zyrtar të këmbimit, një euro po këmbehet me 124.8 lekë.

Opozita e cilëson këtë zhvlerësim të dëmshëm për ekonominë, ndërsa akuzuan qeverinë se gjithçka ka ardhur si rezultat i eurove të drogës.

Aldo Bumçi: Këtë vit janë futur 460 milion euro shtesë, 35% më shumë. Nga kanë ardhur, a kemi investime të huaja shtesë? Nuk kemi. Remitancat janë pak a shumë në të njëjtat kuota. Siç e pohojnë të gjithë, këto janë lekë që kanë ardhur nga tregtia e drogës.

Jorida Tabaku: Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë shqiptare ky fenomen dhe ky fenomen nuk ka ardhur as nga paniku i krijuar nga opozita dhe nuk ka ardhur as nga paniku i krijuar nga qytetarët.

Kjo  dukuri në ekonominë shqiptare ka shqetësuar dhe shumicën në pushtet.

Në Komision vetëm për këtë çështje do të thirren Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Ministri i Financave.

Erjon Braçe: Faleminderit shumë që në emër të kolegëve tuaj që janë pjesë e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave vini ju nga Komisioni i Politikës së Jashtme ta ngrini këtë çështje. E kemi në plan për tu marrë me këtë gjë.

Anastas Angjeli rekomandoi Bankën e Shqipërisë të përdorë të gjithë instrumentat e duhur për të stabilizuar situatën.

Anastas Angjeli: Të gjithë autoritetin për të përdorur instrumentat, për të ruajtur ekuilibrat e nevojshëm për të mbajtur ato objektiva që ka vënë në atë program të de-euroizimit me qëllim që pasojat e kësaj të jenë sa më minimale.

Përtej debateve ekonomike, opozita vijoi të këmbëngulë për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas PD-së, kjo është e vetmja mundësi që Shqipëria të integrohet.


/Ora News.tv/