Sindikatat dhe Federatat e Arsimit kërkuan nga qeveria të rinovojë kontratat kolektive për 36 mijë mësues që sipas tyre janë të pambrojtur. Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit ata shprehën pakënaqësi për projektbuxhetin e vitit 2018 ku kërkuan rritjen e pagës së mësuesve me 10%.

Mosrinovimi i kontratave kolektive per 36 mijë mësues ka ngjallur debate në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit mes sindikatave të arsimit dhe deputetëve të Partisë Socilaiste. Sindikatat dhe Federatat kërkuan nënshkrimin e kontratave ndërsa akuzuan Ministrinë  se po emëron mësues jashtë profilit në sistemin arsimor.

Nevrus Kaptelli, President i SPASH: Janë të pambrojtur dhe ka 5 muaj që janë kontrata kolektive të punës të cilën e kanë patur qysh nga viti 1993. Përditë informohemi që futen në sistem mësues jashtë profilit dhe mësues që nuk kanë konkuruar fare në portal. 

Adelina Rista, Deputete e PS: Këtu nuk jemi për politikë zotërinj të nderuar, jemi për procedurë. 

Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë si dhe Sindikata e Pavarur e arsimtarëve shprehën pakënaqësi sa i takon projekt buxhetit të vitit 2018. Ata kërkuan rritjen e pagës së mësuesve me 10 % për vitin e ardhshëm si dhe rritjen e fondit  për këtë sektor më 5% të GDP.

Pakënaqësi për buxhetin e vitit 2018 shprehu edhe Akademia e  Studimeve Albanalogjike e cila kërkoi një fond prej 380 mln lekë nga të cilat 180 do të përdoren për paga.

/Ora News.tv/