Donald Trump dhe Departamenti i Shtetit duket se janë në “luftë të hapur” mes tyre, një ditë pas shkarkimit të Rex Tillerson nga detyra e Sekretarit të Shtetit. Gazetari i Associated Press Josh Lederman, i cili mbulon aktivitetet e Tillerson dhe e shoqëroi në udhëtimin e tij zyrtar në Afrikë, raporton se ditën e nisjes së këtij turi, çdo gjë dukej në rregull. Fakti se Tillerson udhëtonte drejt Afrikës në emër të presidentit Trump dhe u shkarkua vetëm pak orë pas kthimit përmes një postimi në Twitter, ishte diçka e papritur. Ndaj gazetari Lederman thotë se tashmë DASH dhe presidenti Trump janë në një revoltë lidhur me çështjen se kush e ka shkarkuar Tillerson dhe kur është marrë vendimi.

65-vjeçari, ish-shef ekzekutiv i kompanisë së naftës Exxon Mobil, do të qëndrojë në krye të Departamentit të Shtetit deri në fund të marsit dhe nëse Senati aprovon ndryshimin, drejtori i CIA-s Mike Pompeo do të marrë vendin e tij. Kjo lëvizje nënkupton një zhvendosje madhore në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe gazetari Lederman veçon politikën ndaj Iranit si qëndrimin që do të pësojë ndryshimin më të madh.

Nisur nga përvoja e tij e gjatë në biznes dhe qëndrimet e mbajtura në rolin e diplomatit më të lartë amerikan, Rex Tillerson nuk përshkruhet si Sekretari i zakonshëm i Shtetit. Gazetari Josh Lederman thotë se arsyeja për shkarkimin e 65-vjeçarit nuk qëndron tek kjo veçori e tij, por në faktin se Tillerson përpiqej ta nxiste presidentin Trump të ndërmerrte politika të cilat jo gjithnjë ai dëshironte t’i ndiqte.

/Ora News.tv/