Darka e Shtëpisë së Bardhë, Trump “i bën bisht” eventit të përvitshëm, por nuk i shpëton ironisë

Darka e Shtëpisë së Bardhë, Trump “i bën

Presidenti Donald Trump ishte sërish në qendër të batutave në darkën e përvitshme të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Edhe pse Trump nuk ishte prezent në këtë event, drejtuesja e kësaj mbrëmjeje, komediania Michelle Wolf nuk ia kurseu aspak ironinë. 

“Është 2018 dhe unë jam një grua, ndaj nuk mund të ma mbyllni gojën, vetëm nëse Michael Cohen më lidh me 130.000 dollarë,” u shpreh komediania duke ju referuar pagesës së bërë nga avokati i presidentit për porn-staren Stormy Daniels, e cila pretendon se ka patur një lidhje me Trump në 2006.

Nga ironia nuk u kursyen as pjesëtarët e administratës Trump të cilët morën pjesë në këtë event. 

“Më pëlqen shumë Sarah Sanders, mendoj se është shumë e shkathët. Ajo i djeg faktet dhe përdor hirin për të krijuar tymin perfekt,” tha Michelle Wolf për zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë. As këshilltarja e Trump Kellyanne Conway nuk doli pa u përmendur. “Mos e merrni më nëpër shfaqje. Ajo vetëm gënjen. Nëse ju nuk i jepni një platformë, ajo nuk do të ketë ku të gënjejë,” u shpreh komediania.

Fjalimi i saj mori duartrokitje por gjithashtu edhe shtangu audiencën prej 3.000 personash, të cilët e përjetuan në mënyra të ndryshme ironinë shpotitëse të komedianes.

“Këtu jam për të bërë shaka. Nuk kam një axhendë, nuk po përpiqem të përmbush diçka,” rikujtoi Michelle Wolf gjatë fjalimit.

Eventi prestigjioz tërhoqi fitues të çmimit Oscar dhe të tjerë emra të njohur të kinematografisë, televizionit, sportit etj. Për të dytin vit rradhazi, presidenti Trump zgjodhi të mos ishte pjesë e këtij eventi, teksa ju drejtua Uashingtonit për një tubim. 

“Kjo është më mirë se ajo darka hipokrite e Shtëpisë së Bardhë,” u shpreh kreu i shtetit për mbështetësit, duke ngjallur duartrokitje. Vitin e kaluar, Trump u bë i pari president amerikan që nuk merr pjesë në event në 36 vite.

EMISIONET